Një ide surprizë po qarkullon rreth Interit, transferimi i Gianluigi Donnarumma. Sipas “Sky Sport”, zikaltrit po e monitorojnë me interes të madh situatën e portierit të formuar te Milani, duke kërkuar një “gardian” të besueshëm për portën, jo vetëm për të tashmen, por edhe të ardhmen.
Portieri i lindur në vitin 1999, nga ana e tij, do ta mirëpriste një rikthim në Itali dhe gëzon marrëdhënie të shkëlqyera me grupin e lojtarëve italianë të pranishëm në skuadrën e Interit, pavarësisht të kaluarës së tij te rivali i përjetshëm, Milani.
Kontrata e Donnarumma me PSG skadon në vitin 2026. Për Interin, paga e tij e lartë përbën një pengesë të rëndësishme, por drejtuesit e klubit po studiojnë me kujdes zhvillimet e situatës. Profili i portierit të kombëtares italiane shihet si shumë tërheqës për epokën pas Sommer-it.
Edhe Emiliano Viviano e këshillon Interin për Donnarumma: “Po të isha drejtues i Interit, do të merrja Gigio Donnarumma për arsye të dukshme, veçanërisht për shkak të moshës. Nëse më thua të zgjedh vetëm një portier, Thibaut Courtois është më i miri nga të gjithë.
Po të isha në vend të Donnarummas, do të shkoja tek Interi, pavarësisht të kaluarës me Milanin. Ai është tifoz i Milanit? Atëherë nuk mund të rikthehet në Itali, sepse do të kishte vetëm dy mundësi: Juventusi ose Interi. Zgjedhje të tjera nuk ka”, – tha ish-portieri për “Tv Play”.







