Ndërsa Mauro Icardi dhe Wanda Nara po përballen në gjykatë pas ndarjes së dhimbshme, dalin në dritë detaje të reja mbi marrëdhënien e tyre të shumëpërfolur. Në podcast-in “Calcio Selvaggio”, ish-mbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia, bëri disa zbulime të rëndësishme për çiftin tashmë të ndarë, duke nisur nga thashethemet që përfshijnë edhe Keita Baldé, i cili kishte një lidhje të fshehtë me Wanda ndërsa ajo ishte ende me Icardin (kurse senegalezi ishte i martuar me Simona Guatierin).
“Wanda-Icardi-Keita? Unë nuk kisha vënë re asgjë, – pranoi Ranocchia. – Para së gjithash, dhoma e zhveshjes në Serie A nuk është si miqtë në kafene. Interesat dhe presionet janë të mëdha. Pas stërvitjes, deri ditën tjetër mezi ke kohë të flasësh me shokët e skuadrës. Kush pyet për gratë e miqve të tyre? Ato gjëra i kam lexuar.
Me Wanda dhe Icardi ka ndodhur vërtet gjithçka. Çdo herë që ishte emisioni ‘Tiki Taka’, të nesërmen përgjegjësi për shtypin në klub kishte për të djersitur. Dilte gjithçka. Gratë kur flasin për dhomën e zhveshjes bëjnë gjithmonë rrëmujë. Dhoma e zhveshjes është e shenjtë. Çfarë mund të bënte Interi? Ishte gruaja që shkonte në televizion, jo ai”.
Ranocchia shtoi: “Icardi ishte një lojtar i jashtëzakonshëm. Në 30 metrat e fundit të fushës, si ai kam parë shumë pak. Ishte kapiten, numri 9, sulmuesi kryesor, me të gjitha presionet që vinin bashkë me këtë rol. Pastaj kishte një grua që nuk e ndihmonte, por shkaktonte gjithë atë rrëmujë mediatike. Ai duhej të menaxhonte fushën dhe gjithçka që ndodhte jashtë saj”.
Ranocchia tregoi se nuk kishte marrëdhënie të afërta me Mauro dhe Wanda jashtë fushës: “Përshtypja ime, të cilën tani e shohim edhe më qartë, është se ajo e kontrollonte pothuajse totalisht në nivel psikologjik. Ai bënte gjithçka që donte ajo, një përshtypje personale kjo. Sa i përket lojës së skuadrës, nuk ishte pika e tij e fortë, por në 30 metrat e fundit ishte një nga më të mirët”.
Në “Calcio Selvaggio” foli edhe gazetari Sandro Sabatini, i cili shpesh ishte i pranishëm në emisionin “Tiki Taka”, ku Wanda Nara ishte opinioniste: “Në ‘Tiki Taka’ të gjithë ishin të kënaqur me Wanda, sepse shkaktonte rrëmujë dhe e bënte programin më tërheqës.
Gjatë pauzave publicitare, ajo na tregonte mesazhet që i vinin dhe thoshte: Shiko çfarë më ka shkruar Mauro, më sugjeroi se duhet të them se filan futbollist nuk ia pason topin, tani duhet të them edhe këtë gjë tjetër… Ose na tregonte mesazhet që i dërgonin drejtorët sportivë të klubeve të tjera”.
Sabatini kujtoi një episod të veçantë: “Njëherë ishte Enrico Mentana në lidhje dhe kur dëgjoi Wandën, vuri duart në kokë. Ishte mirë për audiencat e ‘Tiki Taka’, por unë e dija se po shkaktonte një rrëmujë të paparë në dhomën e zhveshjes së Interit. Një grua që thotë gjëra të tilla në televizion shkakton kaos”.
Këto zbulime hedhin më shumë dritë mbi dinamikat komplekse të marrëdhënies së Icardit dhe Wanda-s, si dhe mbi ndikimin që pati kjo marrëdhënie në karrierën e sulmuesit dhe ambientin e Interit.







