Transferimi i Juan Cuadrado-s tek Inter-i verën e kaluar nuk është gëlltitur në asnjë moment nga tifozët e Juventus-it.
Tetë sezone me bardhezinjtë të mbushura me suksese para lamtumirës me kosto zero vitin e kaluar. Një largim i bërë më i hidhur edhe nga vendimi për të kaluar te rivalët e përhershëm të Inter-it.
Një zgjedhje karriere që e ka shpërblyer kolumbianin me një titull, por pa qenë realisht protagonist në fushë. Dëmtime të shumta dhe vetëm pak minuta të luajtura për ish-juventinin, i cili është sulmuar edhe nga ish-tifozët e tij.
Marrëdhënia me tifozët bardhezinj është prishur dhe dëshmia e radhës për këtë ka ardhur me rastin e ditëlindjes së tij. Në fakt, këtë të diel Cuadrado ka mbushur 36 vjeç dhe nuk ka marrë shumë urime nga tifozët e Juves.
“Gëzuar ditëlindjen, Juan”, ka qenë mesazhi i postuar nga Juventus në “X” për ish-lojtarin e saj.
Buon compleanno, Juan! 🎂 pic.twitter.com/pmX4cWcuSd
— JuventusFC (@juventusfc) May 26, 2024
Një urim që nuk është pritur aspak mirë nga tifozët bardhezinj që e kanë mbushur fotografinë e publikuar me një lum mesazhesh negative kundrejt kolumbianit, duke ftuar klubin torinez që të fshinte postimin.
“Ju lutem, fshijeni”, ka qenë komenti i një tifozi.
“0 falenderime për Allegri-n dhe më pas i bëni një urim një tradhtari”, ka qenë një koment tjetër.
“I turpshëm ai dhe ju. Fshijeni këtë gjë”, ka qenë një tjetër koment i ashpër.
“Mos është një shaka?”, ka shkruar një tifoz tjetër.
“Seriozisht e keni?? Nuk po them të fshijmë historinë, por ka mbaruar, urimet edhe mund t’i kishit kursyer”, ka qenë një koment tjetër.