Barcelona bën gati ‘shenjtërimin” e Yamal, do t’i besohet fanella mitike me numrin 10

17 Janar 2025
10:05
Alfred Lleshi
back button

Një numër i rëndë, i mbajtur në të kaluarën nga lojtarë legjendarë, kërkon një pronar të ri të denjë. Ansu Fati, i cili e mori këtë fanellë pas largimit të Lionel Messit, nuk ia doli ta përballonte presionin dhe u pengua nga dëmtimet e shumta, duke mos arritur ta nderonte në mënyrën më të mirë numrin mitik 10 të Barcelonës.

Tani, me lojtarin e lindur në vitin 2002 jashtë planeve teknike të trajnerit Hansi Flick dhe gjithnjë e më pranë largimit nga klubi ku u rrit, duket se momenti i shumëpritur për dorëzimin e fanellës numër 10 ka mbërritur.

Nga sezoni i ardhshëm pritet që Lamine Yamal ta marrë përsipër këtë përgjegjësi të madhe. Sipas raportimeve të “El Chiringuito”, talenti katalanas do të heqë dorë nga numri 19, duke e ndryshuar për herë të tretë. Pasi e filloi me numrin 41 në vitin 2023, 17-vjeçari kaloi te 27 dhe më pas te 19, një rrugëtim që ngjason me atë të Lionel Messit.

Tani, Yamal mund ta ketë shansin ta ndriçojë yllin e tij me këtë numër simbolik, të cilin e mban edhe në kombëtaren iberike, pavarësisht moshës së re. E ardhmja duket jashtëzakonisht premtuese për këtë fenomen të ri të futbollit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit