Interi rikthehet te fitorja pas barazimit në shtëpi ndaj Bologna. MVP i ndeshjes ishte Lautaro Martinez, autor i golit të parë në fitoren 3-1 ndaj Empolit, i cili foli pas ndeshjes për “Inter TV”:
“Sipas mendimit tim, luajtëm një ndeshje të mirë ndaj Bologna, por nuk ishim të saktë në detaje dhe e mbyllëm në barazim. Humbëm dy pikë dhe sonte duhej të reagonim. Në pjesën e parë patëm vështirësi, sepse ata u mbyllën pas, nuk krijuan rreziqe, por kishte pak hapësira. Në pjesën e dytë e qarkulluam topin më shpejt, gjetëm hapësira dhe ishim fituesit e merituar të kësaj ndeshjeje”.
Në pjesën e parë nuk kishit nxitim, më pas shënuat dhe fituat ndeshjen në të dytën…
Po, sigurisht, por në pjesën e parë mund të bënim më shumë. Gjithsesi, në pushim folëm shumë mes nesh. Mister Farris foli shumë mirë me skuadrën, na motivoi dhe dolëm në fushë me një qasje ndryshe, me tjetër shpejtësi.
Sa të ka munguar shënimi në shtëpi? A është rikthyer Lautaro?
Ishin momente të vështira, por gjithmonë kam thënë që edhe në ato momente përpiqem të jap maksimumin në aspekte të tjera. Brenda vetes jam i qetë, sepse mendoj se bëj gjithçka edhe kur ka vështirësi. Tani po stërvitem mirë, po ndjehem mirë, po pushoj mirë dhe po kthehem në nivelin e vitit të kaluar. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.
Skuadra e di që mund të mbështetet te ti…
Po, jemi mirë, po punojmë mirë të gjithë sulmuesit. Të gjithë bëjmë një punë maksimale për skuadrën. Duhet të jemi mbrojtësit e parë për t’iu dhënë qetësi mesfushorëve dhe mbrojtësve tanë. Po punojmë mirë, duhet të vazhdojmë kështu, edhe pse kemi lënë disa pikë rrugës. Duhet të shohim përpara, sepse kemi një sezon të gjatë përpara. Secili prej nesh duhet të jetë gati, pastaj dikush luan më shumë dhe dikush më pak. Çdokush duhet të japë maksimumin.
Sa të rëndësishme janë këto tri pikë psikologjikisht, para një kalendari të ngarkuar?
Ishte e rëndësishme të ktheheshim te fitorja në shtëpinë tonë, përpara tifozëve tanë, edhe për klasifikimin, edhe pse kemi një ndeshje më pak. Jemi të dytët pas Napolit, por duhet të shohim vetëm veten, duhet të ndjekim rrugën tonë. Kemi humbur disa pikë, por po bëjmë një punë të shkëlqyer.







