Marotta: Disa duan ta destabilizojnë Interin, e kanë prej zilisë

28 Maj 2024
8:24
Alfred Lleshi
back button

Protagonist i festës së “Inter Club” në Milano, CEO i zikaltërve Beppe Marotta foli edhe për negociatat e gjata për rinovimin e kontratës me kapitenin Lautaro Martinez: “Kemi të bëjmë me agjentin e tij në bisedime. Mos harroni se, për të lënë përshtypje të mira…, gjithmonë agjentët i japin rëndësi vetes. Unë jam optimist, nuk do të zgjidhet brenda disa ditësh, por kur të rifillojnë stërvitjet, me siguri do ta ketë rinovuar kontratën e tij”.

Marotta më pas foli për vazhdimësinë e Interit, edhe pas kalimit nga Suning tek Oaktree: “Doja t’u thoja të gjithë atyre që flasin keq për ne se janë të shtyrë nga kultura e zilisë. Ato përhapin lajme të njëanshme, pikturojnë një klub në rrëmujë, por Interi është me shëndet të mirë. Të jeni të sigurt, me ndihmën tuaj, të lojtarëve dhe trajnerëve, të cilët janë profesionistë të mëdhenj, do të jemi në gjendje të arrijmë kënaqësi të madhe.

Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu me ju për të festuar atë që ishte një ndërmarrje e rëndësishme për ne. Mendoj se Interi duhet të konsiderohet si një nga skuadrat më të forta në botë. Në futboll nuk duhet të kesh frikë, duhet të kesh guximin të synosh qëllime të larta. Ne do të luftojmë për të marrë gjithmonë më të mirën, ky është angazhimi im”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit