Ai nuk është më vetëm “djali i artit”, por thjesht Marcus Thuram. Sulmuesi zikaltër tashmë ka fituar një emër, madje edhe mbiemër, duke u distancuar nga hija e babait të tij, Lilian. E ka bërë këtë me gola dhe asiste. Ende nuk mjafton, sipas tij. Dhe kështu francezi, duke folur për gazetën “Le Monde”, i vendos vetes një objektiv të ri: “Dua të arrij 20 gola dhe 20 asiste në një sezon”.
Ndërkohë, sulmuesi transalpin, i thirrur në “Euro 2024”, po shijon momentin: “U adoptova shpejt nga tifozët e Interit. Të dëgjosh emrin tënd të kënduar nga 75 mijë tifozë është dehëse. Dhe kur ke një pasion kaq të madh sa i imi për futbollin, vetëm mund ta vlerësosh mbështetjen e tifozëve”.
Thuram e shikon me ambicie edhe Kampionatin Europian: “Nuk i vë limite vetes pas një sezoni si ky. Po kaloj periudhën më të mirë të karrierës sime, kam treguar se di të përmirësohem çdo vit nga këndvështrimi taktik, i lojës dhe statistikor”.
Megjithatë, Thuram nuk është i kënaqur: “Dua të bëj diferencën në ndeshjet e mëdha edhe me kombëtaren”. Por jo më si anësor: “Roli i anësorit i përket së shkuarës, sot jam qendërsulmues”. Autor i 15 golave dhe 14 asisteve me kombëtaren, Thuram, ngre stekën: “Jam konkurrues, aspiroj versionin më të mirë të vetes. Mendoj se mund të bëhem një nga lojtarët më të kompletuar në botë. Kam dëshmuar se mundem të arrij gjëra të mëdha, e imagjinoj veten me 20 gola dhe 20 asiste në një sezon”.
Rruga është e duhura, sidomos pas eksperiencës së Kupës së Botës në Katar: “Më parë njerëzit më njihnin si djalin e Lialian Thuram. Sot jam mbi të gjitha Marcus Thuram. Pa i hequr asgjë babait tim, që ka 142 ndeshje për kombëtaren, sepse askush nuk mund t’ia heqë meritat”.
Lilian, si ish-qendërmbrojtës, fitoi një Botëror dhe Kampionat Evropian, mes trofeve të tjerë, kështu që në çdo rast mbetet shembull i mirë për t’u ndjekur nga i biri.