Lautaro synon pagë stratosferike për Interin, por në Champions shënon sa një mbrojtës. Shifrat flasin vetë

30 Maj 2024
12:46
Alfred Lleshi
back button

Dje Alessandro Beltrami, agjenti i Nicolò Barella, po endej pranë selisë së klubit zikaltër. Një “fantazmë”, nëse krahasohet me Alejandro Camano, agjentin e Lautaro Martinez. Duke thënë se nuk ka asnjë lajm për rinovimin e mesfushorit (të gjitha janë bërë, shishet janë tashmë në akull dhe do të hapen pas mbledhjes së aksionarëve më 4 qershor, diskutim i cili vlen edhe për zgjatjen e kontratës së Simone Inzaghit), qëndrimi i mbajtur në dy muajt e fundit shpjegon pakënaqësinë e Interit me kapitenin argjentinas.

Në qarqet e zikaltërve, dyshimi se Camano luajti pisët në negociatat e rinovimit është gjithnjë e më i bazuar. Përndryshe do të ishte e pashpjegueshme të motivohej optimizmi i përhapur pas ndeshjes së Madridit me pesimizmin e sotëm të justifikuar.

Sepse, duhet thënë, me shifrat e kërkuara nga Camano, zgjatje 3-vjeçare e kontratës së argjentinasit deri në 16 milionë euro në sezon, është e pamundur të mendohet. Interi tashmë po bën një përpjekje “herkuliane” për të arritur në 10 milionë euro në sezon, ndërsa kapiteni, duke e motivuar kërkesën për rritje të madhe të pagës me faktin se kontrata e fundit është nënshkruar në vitin 2021 (6 milionë në sezon), këtë shifër, të kombinuar me disa milionë bonuse, e sheh si një pikënisje.

Megjithatë, as hipoteza e një lamtumire nuk duhet të përjashtohet totalisht. Dhe në këtë rast i vetmi klub që kërkon një sulmues të nivelit të lartë dhe që mund të përmbushë kërkesat financiare të argjentinasit është PSG, ku agjenti Camano tashmë ka një tjetër klient të tij, përkatësisht Achraf Hakimi.

Kjo edhe për shkak të lojës së enigmës që lidhet me dëshirat e Lautaros, i cili nuk e konsideron veten një lojtar të përshtatshëm për Premier League, por e sheh La Liga-n si kampionatin e tij të ëndrrave në rast të lamtumirës nga Italia. Problemi është se Real Madridi, pasi ka nënshkruar me Mbappe, është i kompletuar, madje i mbipopulluar në sulm.

Barcelona nuk ka më burime financiare për të ngritur një operacion kaq të shtrenjtë, edhe sepse është e vështirë për Interin ta vlerësojë qendërsulmuesin e vet më pak se 100 milionë euro. Kjo pavarësisht se numri i golave të tij në Champions League është absolutisht i mangët.

Në një nga prononcimet e tij të fundit, Camano përmendi Haaland dhe Mbappé, por krahasimi me të dy, duke marrë parasysh edicionet e fundit të Champions-it, është i turpshëm. “Cyborg” i Manchester City ka shënuar 18 gola, ndërsa kolegu i tij, tashmë ish i PSG-së, 15 gola.

Në raport me ta, Lautaro ka vetëm 5 gola. Këtë sezon, ai ka shënuar vetëm 2 gola në Evropë sa, ndër të tjera, Akanji dhe Pepe (me rol qendërmbrojtësi), apo Angelo Fulgini, mesfushori i Lens, me vlerë transferimi në treg 8 milionë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit