Hoxha: Ndeshja ndaj Anglisë është e vështirë, por nuk shkojmë të dorëzuar në “Wembley”

17 Mars 2025
12:31
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja shqiptare nisi sot zyrtarisht grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet e kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2026, ndaj Anglisë në transfertë dhe Andorrës në “Arena Kombëtare”.

Futbollistët kuqezinj Arbër Hoxha dhe Julian Shehu dolën në një konferencë për shtyp, ku treguan emocionet e tyre dhe pritshmëritë për sfidat që e presin ekipin kombëtar.

Arbër Hoxha e cilësoi sfidën e parë të Shqipërisë ndaj Anglisë si një përballje të vështirë, duke theksuar se kundërshtari ka lojtarë të klasit botëror.

Megjithatë, ai u shpreh se beson te kualitetet e ekipit kuqezi dhe shpreson në një rezultat pozitiv, duke premtuar se do të japë maksimumin në minutat që do të ketë në dispozicion.

Ndeshja me Anglinë?

Ndeshja e parë me Anglinë është e vështirë, duke marrë parasysh që kundërshtari ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion.

1 vit në kombëtaren kuqezi, si ka shkuar ky rrugëtim për ty? 

Besoj që ka qenë një vit shumë i mirë, sepse arritëm kualifikimin në Europian. Do të bëjmë më të mirën gjithmonë dhe shpresoj që të kualifikohemi në Botëror.

Si po shkon sezoni me klubin tuaj? 

Si çdo futbollist, ka ulje dhe ngritje, edhe unë jam një prej tyre. Kohët e fundit nuk kam pasur shumë ritëm në ndeshje. Ato minuta që kam pasur, jam munduar t’i shfrytëzoj në maksimum. Shpresoj që sa më shpejt të arrij formën dhe të kem sa më shumë minuta në dispozicion.

Si ju duket konkurrenca në kombëtare? 

Në kombëtare, konkurrenca gjithmonë të bën më të fortë. Japim maksimumin për të marrë sa më shumë minuta.

A prisni ndonjë ndryshim në lojë me Anglinë?

Atë e vendos trajneri. Po presim edhe lojtarët e tjerë që të na bashkohen. Kemi katër ditë në dispozicion për t’u përgatitur taktikisht. Duam ta përgatisim ndeshjen sa më mirë.

A duhet të kemi pritshmëri në ndeshjen me Anglinë? 

Po, normalisht që besojmë, kjo nuk diskutohet fare. Unë besoj se grupi ka kualitet për të arritur një rezultat pozitiv.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit