Përgatitjet për fushatën eliminatore të Botërorit 2026, të cilat e ngrenë siparin më 21 mars për kuqezinjtë tanë, pikërisht në mitikun “Wembley”, ndaj Anglisë së madhe, kanë nisur sot. Natyrisht, në seancën e parë nuk kanë qenë të gjithë kuqezinjtë e ftuar nga trajneri Sylvinho për dy kualifikueset e radhës, por grupi pritet të plotësoshet deri në mbrëmje. Në konferencë për shtyp kanë dalë dy lojtarë të rinj, Arbër Hoxha dhe Julian Shehu. I dyti, debutues me kombëtaren e madhe, nënvizoi para gazetarëve:
Ftesa nga Kombëtarja: “Është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë krenar që jam përzgjedhur të përfaqësoj kombëtaren. Është një nga ndjesitë më të bukura në botë. Shpresoj që ta përfaqësoj denjësisht dhe të jap maksimumin tim për ekipin, si dhe të rris konkurrencën, sepse i bën mirë grupit”.
Emocionet e para, pasi mori ftesën: “Momentin e parë kur mora ftesën nuk dija si të reagoja. Isha i mpirë nga emocionet. U kontaktova nga stafi, ishte moment shumë i bukur”.
Si e sheh rrugëtimin me kombëtaren: “Nuk kam ardhur për të qenë kalimtar. Shpresoj që rrugëtimi im të jetë sa më i gjatë në kombëtare. Kam ardhur me besimin për të bërë më të mirën”.
Sa gati është, pas dëmtimit: “Viti i kaluar ishte viti më i vështirë në karrierën time, sidomos pas dëmtimit që pata. Gjithsesi, u rikuperova shumë mirë dhe shumë shpejt, tani jam 100% gati. Jam shumë mirë fizikisht, i kam luajtur thuajse të gjitha ndeshjet me ekipin. Shokët e kombëtares më kanë pritur shumë mirë, si hera e parë që vij këtu. Kishte entuziazëm në ekip. Më uruan dhe ishin aty për të më mbështetur”.








