Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ka qenë përkrah trajneri Sylvinho në konferencën e fundit për shtyp, një ditë para ndeshjes së parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, atë ndaj Anglisë, e cila do të luhet nesër mbrëma në “Wembley”.
Gjimshiti, si gjithmonë është treguar shumë i matur para mikrofonave dhe është treguar me këmbë në tokë, pa qenë aspak euforik, por ka folur si një profesionist i vërtetë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe e këndshme. Kemi lojtarë të rinj dhe të talentuar që kanë sjellë një frymë dhe fytyrë të re. Ëndrrat thonë që nuk janë të mundura, por disa edhe mund të realizohen. Nuk jemi këtu për t’u fshehur pas faktit që Anglia është një ekip i madh. Do të provojmë shanset tona dhe do të japim gjithçka në fushë”, tha Gjimshiti.
Kapiteni i kuqezinjve vazhdoi duke folur për vlerat e kundërshtarit dhe duke dalluar të paktën njërin prej yjeve të Anglisë. “Unë besoj që Anglia jo vetëm kundër nesh, por edhe të tjerash është favorite, kështu nuk duhet të flasim për këtë. Bellingam është një lojtar fantastik, shumë rrallë ka lojtarë si ai apo dhe të tjerë, është nga më të mirët në botë”, shtoi Gjimshiti.
Ndër të tjera, kapiteni i kuqezinjve foli dhe për shanset që ka Shqipëria për t’u kualifikuar në këtë grup. “Unë besoj që është ende herët të flasim për shanse, por me kalimin e kohësh dhe pas 4 ndeshjesh do të kuptohen shanset reali që kemi për t’u kualifikuar”, përfundoi Gjimshiti.







