Piloti italian i Ducati, Francesco Bagnaia, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Italisë në MotoGP, zhvilluar në pistën e Mugello. Në garën e shtëpisë, kampioni i botës në fuqi nuk zhgënjeu, duke përsëritur suksesin e një dite më parë në garën sprint.
Në vendin e dytë u rendit shoku i tij i skuadrës Enea Bastianini, që në kthesën e fundit parakaloi spanjollin Jorge Martin me Ducati Pramac (i treti). Gjithsesi, Martin mbron kreun e renditjes së përgjithshme, tashmë me 18 pikë avantazh ndaj Bagnaia.
Pista e Mugello konfirmoi dominimin e motorit Ducati, me spanjollin Marc Marquez (Ducati Gresini) që u klasifikua në vendin e katërt. Për sa i përket garës, ajo u dominua nga Bagnaia që nga xhiro e parë deri tek e fundit, por pa krijuar ndonjë shkëputje të madhe.
Ai dueloi me Bastianini e Martin, por pa e lëshuar kreun, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon këtë sezon. Ky është suksesi i tretë në katër garat e fundit, duke rihapur garën për titullin kampion në MotoGP.