E vërteta shpesh është e thjeshtë: paratë nuk sjellin lumturinë. Ndoshta tingëllon e çuditshme, por Kylian Mbappé e di shumë mirë këtë. Superylli francez refuzoi të aktivizonte klauzolën e rinovimit automatik edhe për një vit me PSG-në majin e kaluar, duke pritur vetëm momentin për të realizuar ëndrrën e tij të kahershme: të vishte fanellën e Real Madridit.
Ajo që shumica nuk e kanë vënë re është sakrifica financiare që ai ka bërë për këtë transferim. Sipas asaj që ka zbuluar “L’Équipe”, Mbappé ka thënë “jo” ndaj një oferte marramendëse prej 250 milionë eurosh. Kjo shumë përfshinte:
– 70 milionë euro pagë vjetore, me një rritje prej 20% krahasuar me sezonin e mëparshëm
– 180 milionë euro bonuse dhe të ardhura nga të drejtat e imazhit.
Një ofertë që asnjë klub tjetër nuk mund t’ia bëntë kurrë. Sidoqoftë, KM9 nuk u tundua dhe zgjodhi të ndjekë ëndrrën e tij të fëmijërisë, të bëhej lojtar i Real Madridit, duke lënë pas Parisin dhe miliona euro.
Ndërkohë, vazhdojnë edhe përplasjet ligjore mes Mbappé e PSG, pasi klubi nuk i ka paguar rreth 55 milionë euro nga rrogat e tij, sipas pretendimeve të lojtarit.
E vërteta është e thjeshtë: Mbappé firmosi me Real Madridin për më pak para. Edhe pse është lojtari më i paguar te “Los Blancos”, paga e tij nuk afrohet me atë që i ofronte PSG.
Sipas “L’Équipe”, kontrata e tij me madrilenët përfshin:
– 100 milionë euro bonus firmosjeje.
– 32 milionë euro pagë vjetore.
– Marrëveshje ekskluzive për të drejtat e imazhit.
Te Real Madridi, zakonisht Florentino Perez i ndan të ardhurat e imazhit 50-50 me lojtarët, por në këtë rast, nëna e Mbappé, Fayza Lamari, arriti të sigurojë një marrëveshje më të favorshme, duke kërkuar që 80% e të ardhurave nga imazhi t’i takonin djalit të saj, ndërsa 20% klubit.
Pavarësisht se ka marrë më pak para se sa mund të kishte përfituar te PSG, Mbappé më në fund realizoi ëndrrën e tij të bardhë.







