Drejtori sportiv Deco dhe trajneri Hansi Flick kanë zhvilluar dy mbledhje me stafin teknik dhe me bordin drejtues të Barcelonës, duke vendosur piketat për merkaton e verës.
Deri tani, sipas mediave katalanase, janë përcaktuar pozicionet ku Barcelona do të ndërhyjë me investime të reja. Plani fillestar nuk ndryshon: do të tentohen lojtarë të rinj në moshë.
Së pari, Barcelona pritet të transferojë një mbrojtës të djathtë. Kounde ka nevojë për një zëvendësues, sepse nuk mund të përballojë i vetëm gjithë sezonin. Hector Fort është ende i paformuar sa duhet.
Së dyti, Hansi Flick ka kërkuar një mesfushor difensiv me tipare mbrojtëse. Ky pozicion po kthehet shumë i vështirë për t’u mbuluar nga klubet e sotme, por katalanasit kanë disa ide.
Së treti, Barcelona do të investojë për një sulmues të majtë. Ansu Fati dhe Ferran Torres nuk e kanë të ardhmen të garantuar në “Camp Nou”, kështu që duhet ndërhyrje.
Së katërti, katalanasit do të afrojnë një qendërsulmues. Robert Lewandowski është në fund karriere, kështu që po diskutohet nëse duhet ndërhyrë me një lojtar të gatshëm apo për një talent që pranon stolin, derisa të afrohet një sulmues tjetër në verën e vitit 2026.







