Flick: Është bukur të ëndërrosh për tripletën, por mendoj vetëm për Betis. Dua të luaj edhe 15 ndeshje

5 Prill 2025
6:52
Alfred Lleshi
back button

Barcelona vazhdon të ëndërrojë madhështinë. Pas një sezoni deri tani të jashtëzakonshëm, me vendin e parë në La Liga dhe finalen e Kupës së Mbretit tashmë të siguruar, blaugranat janë ende në garë edhe në Ligën e Kampionëve. Objektivi i tripletës sezonale është në ajër, edhe pse Hansi Flick preferon të qëndrojë me këmbë në tokë.

Në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Betisit, trajneri gjerman ka folur në konferencë për shtyp, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit maksimal në çdo sfidë: “Nuk e di çfarë ëndërron presidenti Laporta, por shpresoj që të ketë ëndrra të bukura. Unë dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet. Objektivi ynë është të luajmë edhe 15 ndeshje. Nëse ia dalim, do të thotë që kemi bërë një sezon të jashtëzakonshëm”.

Llogaritë janë të thjeshta: me finalen e Kupës së Mbretit tashmë të siguruar, mbeten edhe 9 ndeshje në La Liga dhe objektivi për të arritur finalen e Ligës së Kampionëve. Një rrugëtim që do ta kthente Barcelonën e Flick në një kandidate serioze për të përsëritur sukseset e viteve 2009 dhe 2015, kur katalanasit fituan nga tre trofe madhorë.

“Të mendosh për tripletën është bukur, por nuk mund të fokusohemi vetëm tek ëndrrat, – ka theksuar Flick. – Vetëbesimi i lojtarëve është i lartë, por detyra ime është të sigurohem që ata japin maksimumin në çdo ndeshje.

Jemi duke luftuar për gjithçka, besojmë dhe kemi angazhimin maksimal të lojtarëve. Sidoqoftë, nevojitet më shumë se kaq, kemi nevojë edhe për tifozët. Është një situatë entuziazmuese, por duhet të qëndrojmë të përqendruar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit