Flick: Nuk kemi luajtur në mënyrën më të mirë, por meritat i shkojnë Borussia Dortmundit

16 Prill 2025
8:05
Alfred Lleshi
back button

Hans-Dieter Flick, trajneri i Barcelonës, analizoi për mikrofonat e “uefa.com” humbjen 3-1 ndaj Borussia Dortmund, në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve: “Jemi në gjysmëfinale. Dy ndeshjet u vlerësuan në tërësi dhe e meritojmë kalimin e turit.

Verdhezinjtë kanë një skuadër fantastike, na e bënë jetën shumë të vështirë, por jemi kualifikuar dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Nuk kemi luajtur në mënyrën më të mirë sot, por kjo është edhe meritë e Borussia Dortmundit, që bëri një ndeshje shumë të mirë. Ajo që skuadra ime ka arritur në javët e fundit është fenomenale. Tani jemi një hap përpara, por ende jemi larg fundit”.

Gjatë konferencës për shtyp, Hansi Flick foli edhe për rivalitetin e mundshëm mes Wojciech Szczesny dhe Marc-André ter Stegen për vendin e titullarit në portë, pasi ky i fundit po rikuperohet më shpejt se pritej nga një dëmtim i gjatë (edhe pse ende nuk është grumbulluar).

Trajneri gjerman, megjithatë, nuk deshi të jepte një përgjigje të prerë për zgjedhjen mes tyre, por theksoi frymën e bashkëpunimit që ekziston mes lojtarëve të skuadrës, edhe kur ata janë në konkurrencë për një vend në formacion:

“Në futboll gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt, çdo gjë mund të ndodhë, ndaj nuk mund të jap një përgjigje 100%. Ajo që mund të them është se Szczesny është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Gjithashtu, portierët që kemi në skuadër shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Ata e mbështesin njëri-tjetrin çdo ditë, ndaj të gjithë përmirësohen çdo ditë. Kjo është diçka që e vlerësoj shumë”.

Sa i përket dëmtimit të Balde, që mund të ndikojë edhe ndaj kundërshtarit të ardhshëm të mundshëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që do të jetë njëri mes Interit dhe Bayern Munich, trajneri gjerman u shpreh: “Humbja e Balde? Nuk është kurrë mirë të humbasësh një lojtar me këto karakteristika, por Gerard Martin është rritur shumë dhe është i gatshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit