Ancelotti dhe “makthi” i të qenit trajner i Real Madridit. Kur nuk fiton, gjithmonë përfundon i shkarkuar

18 Prill 2025
8:18
Alfred Lleshi
back button

Në momentin e mbërritjes së tij te Real Madridi, të paktën herën e dytë, Carlo Ancelotti ishte një “trajner i përkohshëm”. Një rrezik për të gjithë, pas dështimit te Napoli, me shkarkim pas kalimit të fazës së grupeve në Champions League, dhe më pas tek Evertoni.

Shumëkush pyeti pse Florentino Perez e kishte thirrur sërish ish-trajnerin e tij, që dukej i destinuar për “perëndim” të karrierës. Në fakt, nuk ndodhi kështu, sidomos falë dy Champions League të fituara në tri vite, ftesave nga Brazili për të marrë drejtimin e kombëtares (gjithmonë të refuzuara) dhe shumë trofeve të fituar vitet e fundit.

Ancelotti e ka ndryshuar fatin e tij falë cilësive personale. Ndoshta jo një inovator i lojës si Arrigo Sacchi apo Pep Guardiola, por menaxhues i shkëlqyer i yjeve, pikërisht ajo që i duhet Real Madridit. As ai dhe as Zidane nuk kanë ndryshuar rregullat e futbollit, nuk kanë risjellë një mënyrë të re loje në dekadat e fundit. Megjithatë, janë trajnerë që kanë fituar shumë në pankinën më prestigjioze të botës.

Pastaj vjen rrisku i të qenit te Real Madridi. Është i vetmi vend ku duhet të fitosh gjithmonë, me çdo kusht, përndryshe të zëvendësojnë. Mund të quhesh Carlo Ancelotti, Fabio Capello apo José Mourinho, nuk ka rëndësi. Nuk ka rrugë tjetër përveç fitores.

Për momentin, “Los Blancos” janë 4 pikë larg Barcelonës në La Liga, me mundësinë që diçka të ndryshojë në 7 ndeshjet e fundit. Përndryshe, Ancelotti është i destinuar ta përshëndesë, për herë të dytë, pankinën e Real Madridit, e cila është e mrekullueshme kur fiton, por e papërballueshme kur humbet.

Brazili ngulmon për italianin, Klopp del në skenë te Real Madridi
“Jemi ende në garë për La Liga-n, kemi finalen e Kupës së Mbretit, kemi edhe Kupën e Botës për Klube… Është një sezon i pafund, por duhet të ngrihemi, është një pjesë tjetër e futbollit me të cilën nuk jemi mësuar. E ardhmja ime? Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe nuk dua ta di”.

Me këto fjalë Carlo Ancelotti, pas eliminimit nga Champions League përballë Arsenalit, e la pezull të ardhmen e tij. Por nga Spanja kanë ardhur zëra të shumtë që e forcojnë bindjen se cikli i “Mbretit Carlo” me Realin ka arritur në fund.

Pas shumë kritikash në javët e fundit për rezultatet e paqëndrueshme të Realit, me pikën më të ulët pas turpërimit në “Emirates” (humbja 3-0 ndaj Arsenalit), nuk funksionoi as përmbysja në “Bernabeu”. Eliminimi nga Champions-i ka rikthyer në qendër të vëmendjes interesimin e Brazilit për Ancelottin.

Federata braziliane, që prej sezonit të kaluar ka dashur ta emërojë trajnerin italian në krye të Seleçaos. Pikërisht të mërkurën (16 prill), një përfaqësues i federatës braziliane është parë në tribunat e “Bernabeut”.

Bëhet fjalë për Diego Fernandes, figurë kyçe në futbollin brazilian, dërguar me mision në Madrid për të bindur Ancelottin. Thuhet se janë zhvilluar edhe bisedime me përfaqësuesit e trajnerit, me qëllimin që ai të marrë drejtimin e Brazilit që nga qershori, për eliminatoret e Kupës së Botës kundër Ekuadorit dhe Paraguajit.

Prej një viti, emri i Xabi Alonsos lidhet me Real Madridin, por tani nuk është më i vetmi kandidat. Jurgen Klopp ka fituar terren si pasardhës i mundshëm i Ancelottit. Trajneri gjerman është i gatshëm të rikthehet në pankinë, me kushtin që projekti të jetë bindës dhe me objektiva të mëdhenj.

Ish-trajneri i Liverpool-it dhe aktualisht drejtues futbolli te “Red Bull”, do të ishte i gatshëm të negocionte me presidentin Florentino Perez për të marrë drejtimin e Realit. Po ashtu, ai nuk e përjashton as opsionin për të drejtuar Brazilin. Një pjesë e drejtuesve të Realit e shohin Klopp-in si profilin ideal për të filluar një cikël të ri dhe për të sfiduar Barcelonën e drejtuar nga Hansi Flick.

Nëse do të duhej një zgjidhje e menjëhershme në funksion të Kupës së Botës për Klube, Reali po vlerëson mundësinë që Santiago Solari të marrë drejtimin si trajner i përkohshëm deri në emërimin e trajnerit të ri. Edhe në rastin më të keq, nëse Reali humbet finalen e Kupës së Mbretit, mund të merret vendimi për ndarjen me Ancelottin.

Brenda kontratës së mbetur (që përfundon në 2026), ekzistojnë klauzola që lejojnë zgjidhjen e saj nga të dyja palët dhe, duke qenë se Ancelotti ka marrëdhënie shumë të mira me Florentino Perez, italiani 65-vjeçar nuk do të kërkonte konflikt. Përkundrazi, do të pranonte çdo vendim që do të merrej nga klubi madrilen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit