Barcelona kishte nevojë të rikuperonte lojën ofensive dhe e arriti këtë kundër Mallorca në një ndeshje të shkëlqyer, të cilës i mungoi vetëm efikasiteti. Skuadra blaugrana gjuajti 40 herë në portë, por shënoi vetëm një gol. Një demonstrim loje që nuk u pasqyrua në rezultat, por e la të kënaqur Flick, i cili gjithashtu mundi të linte pushim lojtarë si Raphinha, Koundé dhe De Jong, të cilët e nisën nga stoli.
“Bëmë një ndeshje shumë të mirë. Kishim shumë raste për të shënuar, në fund përfundoi 1-0, pa pësuar gol, kështu që jam i kënaqur, – tha fillimisht trajneri. – Portieri i tyre ishte shumë i mirë, por jam vërtet i kënaqur me lojtarët e mi. Bëmë më pak gabime se në ndeshjet e kaluara”.
Flick u pyet gjithashtu për paraqitjen e Ansu Fati dhe Héctor Fort, surprizat e mëdha të formacionit: “Ansu, Héctor… Të gjithë bënë një punë shumë të mirë. Ishte pozitive të shihja që të gjithë ndihen pjesë e këtij ekipi”.
Për sulmuesin, trajneri gjerman pranoi se kjo ndeshje mund të ndikojë pozitivisht në paraqitjet e tij deri në fund të sezonit: “Mendoj se po. Shihet që shokët e skuadrës e mbështesin, po ashtu edhe tifozët. Ishte një ditë shumë e mirë për të. Kjo ndeshje do ta ndihmojë të rikuperojë vetëbesimin dhe të besojë më shumë në vetvete”.
Trajneri gjerman theksoi gjithashtu se menaxhimi i skuadrës është pjesë e punës së tij: “Detyra ime është të menaxhoj minutat e lojtarëve, duke parë gjithmonë kalendarin dhe menduar për ndeshjen e ardhshme, që është më e rëndësishmja”.
Për rëndësinë e lidhjes mes Pedrit dhe Dani Olmos, ai ishte i prerë: “Nuk janë vetëm këta dy lojtarë. Jemi të lumtur që i kemi, por sot kishim shumë mundësi të tjera për të bërë ndryshime me lojtarët. Për mua është e rëndësishme që ata që futen në lojë, dinë si të luajnë dhe si të lidhen me të tjerët”.
Flick pati lëvdata për Pedrin, një nga më të spikaturit: “Është e vështirë të thuash cili është limiti i tij. Është i jashtëzakonshëm kur ka topin, por edhe kur nuk e ka. Të gjithë mund të shohin se si na ndihmon”. Flick u shpreh shumë i kënaqur edhe me Eric García: “Jam shumë i surprizuar nga niveli me të cilin luajti sot. Është një pozicion tjetër ku mund të luajë. Gjithmonë di çfarë duhet të bëjë”.







