Një jetë te Barcelona, me gjithë rrugëtimin në ekipet zinxhir të të rinjve, debutimin mes profesionistëve dhe plot 5 sezone në ekipin e parë, në epokën e Messit dhe Guardiolës (mes të tjerëve). Më pas 6 muaj tek Interi, nga viti 2015 deri në janar 2016, dhe kthimi në Spanjë për të veshur, në dy periudha të ndryshme, fanellën e Betisit.
Kush më mirë se mbrojtësi i djathtë spanjoll Martín Montoya mund ta prezantojë përplasjen e dyfishtë mes dy skuadrave të fundit italiane që kanë mbetur në Europë: Barcelona-Inter dhe Betis-Fiorentina. “TuttoMercatoWeb” e kontaktoi në mënyrë ekskluzive, sot si lojtar i Arisit të Selanikut, ku u transferua në verën e vitit 2023.
Montoya, ta nisim nga e tashmja juaj. Si është jeta në Greqi dhe në Superligën atje, në moshën 34-vjeçare?
Në Greqi jetohet shumë mirë, ka shumë cilësi jete këtu. Është një vend mesdhetar, mentaliteti i njerëzve është shumë i ngjashëm me atë italian dhe spanjoll. Tek Aris Selanik po kaloj mirë.
Nga e tashmja në të shkuarën, të mërkurën luhet Barcelona-Inter, ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions-it. Si e shihni?
Pres një përballje shumë të balancuar. Barça, duke respektuar karakteristikat e veta, do të kërkojë të kontrollojë lojën dhe të mbajë topin. Ky Inter luan mirë, por për mua në fund kalon Barcelona.
A ka më shumë apo më pak mundësi Fiorentina ta eliminojë Betisin në “Conference League”?
Betis-Fiorentina do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u parë. Të dyja skuadrat luajnë futboll të bukur dhe mendoj se do të ketë shumë gola, por ‘Benito Villamarín’ do të jetë një faktor vendimtar. Besoj se edhe në këtë rast, Betisi ka më shumë gjasa të shkojë në finale.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që përveç Interit, Barcelonës dhe Betisit, mund të kishit veshur edhe fanellën e Fiorentinës?
Po, kur isha te Barcelona, më kontaktuan për të shkuar te Fiorentina. Sidoqoftë, në fund nuk u bë realitet.
A keni pasur mundësi të flisni për këtë me ish-shokun tuaj të skuadrës, Joaquin?
Sigurisht, Joaquin më ka folur disa herë për Fiorentinën. Më tha se është argëtuar shumë duke luajtur me vjollcët dhe se i ka pëlqyer shumë qyteti. Sigurisht, mësoi pak italisht (qesh).
Në Serie A, gjithsesi keni luajtur, një periudhë 6-mujore tek Interi. Çfarë do të ndryshonit nga ajo aventurë jo shumë e suksesshme?
E vetmja gjë që do të ndryshoja nga periudha ime tek Interi është se do ta kisha shijuar më shumë kohën e kaluar në Milano. Fatkeqësisht, nuk pata besimin e trajnerit Mancini, nuk më dha pothuajse asnjë mundësi për të treguar vlerat e mia. Qëndrova vetëm gjashtë muaj, por pavarësisht kësaj, kam ende kujtime shumë të bukura nga klubi zikaltër dhe, më gjerësisht, nga kampionati italian.
Pyetja e fundit, shkurt: Lautaro Martínez apo Lamine Yamal, cili do të vendosë gjysmëfinalen e Champions-it?
Lautaro dhe Lamine janë lojtarë vendimtarë, që mund ta vendosin një ndeshje në çdo moment. Argjentinasi është një golashënues, ndërsa spanjolli ka atë magjinë që jep asiste dhe gola. Nëse duhet të zgjedh, unë preferoj Yamal.







