Enkileda Carja kampione e trefishtë e botës për paratëreja, medalje bronzi për të rejat në shkëputje

3 Maj 2025
8:57
Telesport
back button

Në Lima të Perusë po zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të rinj dhe të reja. Në pedanë u ngjit shtangistja Enkileda Carja, e cila nderoi ngjyrat kuqezi. Ajo u shpall kampione e trefishtë e botës për paratëreja.

Ajo zuri vendin e parë në peshën 64kg si në shkëputje ashtu dhe në shtytje. Ndaj, për pasojë edhe në dygarësh në këtë grupmoshë anjo u klasifikua e para, duke varur në qafë tri medalje të arta. Në këtë grupmoshë, 17-vjecarja shqiptare ishte më e mira.

Në peshën 64kg për të reja, ajo mori medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes, duke u klasifikuar e treta. Ndërsa në stilin e shtytjes u rendit në vendin e pestë. Po e pesta u klasifikua edhe në dygarësh.

GARA – Në shkëputje, Carja i realizoi me sukses të trija provat, duke ngritur 94, 97 dhe 98kg. Edhe pse vinte nga Bateria B, ajo arriti të ngjitet në vendin e tretë, duke befasuar me paraqitjen e saj.

Edhe në shtytje ajo i realizoi të trija provat, me 110, 113 e 115kg, duke u renditur në vendin e pestë. Me 213kg në dygarësh, Enkileda Carja u klasifikua në vendin e pestë, por shumë larg shtangisteve kineze që zunë dy vendet e para (231 e 236kg).

Kjo nuk është hera e parë që Carja arrin rezultate të tilla, një sportiste premtuese për të ardhmen, që valeviti flamurin kuqezi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit