Leo Messi nuk hezitoi të lavdërojë Real Madridin pas suksesit të fundit, fitimit të Ligës së 15-të të Kampionëve në historinë e vet, kundër Borussia Dortmundit. Në një intervistë për “Infobae”, ylli argjentinas pranon se të bardhët janë “skuadra më e mirë në botë për momentin”:
“Nëse flisni me rezultate, atëherë është Real Madridi. Nëse flisni me lojë, mua personalisht më pëlqen Manchester City i Guardiolës. Mendoj se çdo skuadër ku është Guardiola do të jetë e veçantë për shkak të mënyrës se si ai është, mënyrës se si stërvit dhe lojës që aplikon. Skuadrat e tij luajnë në nivelin më të lartë të lojës për mua. Për momentin, referuar rezultateve, Real Madridi është më i forti”.
Messi zbuloi edhe sekrete të vogla nga jeta e tij e përditshme, si bisedat e përbashkët me Neymar dhe Luis Suarez. Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” ende nuk e përjashton praninë e tij në Botërorin 2026 në SHBA, ndonëse nuk jep asnjë të dhënë as për pjesëmarrjen e tij të mundshme:
“Kjo do të varet nga mënyra se si ndihem, si do të jem fizikisht. Pra, dua të jem realist me veten time. Do të luaj në Botërorin 2026 vetëm nëse jam në lartësinë e detyrës, nëse mund t’i ndihmoj shokët e kombëtares”.
Ai tregon gjithashtu se çfarë do të thoshte për të fitimi i Botërorit të fundit në Katar: “Jeta vazhdon. Tani kemi një sfidë tjetër me kombëtaren, duam të fitojmë ‘Copa América’. Duke qenë kampion i botës më bëri të plotësuar, sepse arrita gjithçka”.
Lojtari aktual i Inter Miamit nuk ka asnjë shqetësim për të treguar se kishte nevojë për ndihmë psikologjike gjatë një kohe te Barça: “E vërteta është se kur isha në Barcelonë, shumë kohë më parë, pata nevojë për psikolog.
Shkova, nuk e kisha provuar kurrë, isha shumë ngurrues për të gjitha këto. Nuk më pëlqente. Unë jam një person që e mbaj gjithçka brenda, edhe të mirën, edhe të keqen. Kur shkova të psikologu ishte shumë mirë për mua, më ka pëlqyer shumë, më ka ndihmuar shumë”.