“Më shumë se gjysma e jetës sime i përket këtij klubi”; lamtumira emocionuese e Reus nga Borussia Dortmund

4 Maj 2024
10:15
Alfred Lleshi
back button

Gjermani ka shënuar 168 gola në 424 paraqitje për klubin verdhezi, që kur u bashkua me te nga Borussia Monchengladbach në vitin 2012. 34-vjeçari, i cili kaloi 9 vite te BVB gjatë rinisë së tij, para se të largohej për në Monchengladbach, do të bëhet lojtar i lirë kur kontrata e tij të përfundojë në korrik.

“Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në këtë klub dhe e kam shijuar çdo ditë”, – thotë Reus në njoftimin e lamtumirës në fund të këtij sezoni. Lamtumira zyrtare e Reus erdhi përmes një mesazhi të publikuar nga kanalet zyrtare të Borussia Dortmundit, i cili në vetëm pak sekonda u bë “viral” në të gjithë botën, duke shkaktuar pakënaqësi të tifozëve verdhezinj e më gjerë.

“Borussia Dortmund dhe kapiteni i saj historik Marco Reus kanë rënë dakord reciprokisht për të mos e vazhduar kontratën, e cila skadon në fund të sezonit”, – ishte mesazhi konfirmues i klubit verdhezi për ndarjen me numrin 11.

“Jam tepër mirënjohës dhe krenar për momentet e mia me Borussia Dortmund, – tha Reus. – E kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në këtë klub, e kam shijuar çdo ditë, edhe pse padyshim që ka pasur momente të vështira.

Tashmë e di se do të jetë e vështirë për mua t’ju them lamtumirë në fund të sezonit. Megjithatë, jam i lumtur që tani ka qartësi dhe mund të përqendrohemi plotësisht te ndeshjet e rëndësishme ende në pritje. Ne kemi një qëllim të madh në mendje dhe duam ta arrijmë të gjithë së bashku. Për këtë na nevojiten të gjithë fansat tanë të jashtëzakonshëm, të cilët do të doja t’i falënderoja për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme ndër vite”.

Në moshën 35-vjeçare, Reus është ende një lojtar i rëndësishëm, por mbetet e paqartë nëse do ta vazhdojë karrierën e tij në një klub të madh evropian apo do të vazhdojë në Bundesligë me ish-skuadrën e vet, Borussia Monchengladbach. Sipas asaj që raportohet nga “Bild”, ai mund të rikthehet te Monchengladbach, skuadra për të cilën luajti midis viteve 2009 dhe 2012.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit