E ardhmja e tij, shpë*thimi i Yamal, portieri më i mirë i La Liga…; Szczęsny rrëfehet “pa dorashka”

21 Maj 2025
11:44
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë të dhënë për një televizion polak, “gardiani” i Barcelonës, Szczęsny pranoi: “Tani do të duhet të mendoj për të ardhmen time të afërt, por është një gjë mjaft e këndshme. Ndoshta tani është momenti i duhur për të folur me klubin për këtë çështje, sepse edhe ata janë të gatshëm ta bëjnë.

Doja të prisja që ta përfundonim këtë sezon dhe të mos e hapja temën e rinovimit të kontratës kur nuk duhej. Nëse rinovoj kontratën, do ta bëj me idenë për të ofruar cilësi në pankinë sezonin e ardhshëm. Duhet të vendos, sepse është një situatë e re për mua. Nga ana mendore mund ta pranoj se duhet ta mbështes Marc-André ter Stegen, ta ndihmoj atë.

Në të vërtetë, çështja nuk është nëse do të jem numri 1 apo 2. Ajo që do të përcaktojë nëse do të rinovoj apo jo nuk është hierarkia e portës, por situata ime familjare. Do të jetë një vendim i përbashkët, nëse duam të jetojmë në diellin e Marbella apo në diellin e Barcelonës”.

I pyetur për Lamine Yamal, portiere polak u shpreh: “Së pari, niveli i talentit të tij është i çmendur. Së dyti, maturia në lojën e tij është diçka që nuk kuptohet lehtë. Një i ri 17-vjeçar nuk duhet të dijë kur ta ngadalësojë ritmin, të reflektojë dhe të reagojë në kohën e duhur. Ka maturi në lojën e tij, i meriton të gjitha lavdërimet që merr. Ka një mundësi të vogël që ta fitojë ‘Topin e Artë’ në fund të vitit”.

Ndërkohë, i pyetur se kush është portieri më i mirë në La Liga, polaku nuk hezitoi të pranonte se portieri i Espanyol, Joan Garcia, është ai që i ka pëlqyer më shumë: “Ai është një nga portierët më të mirë që ka aktualisht Spanja dhe Europa”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit