Kosova në zemër, himni kuqezi në gojë. Shqipëria sfidon Serbinë, kur historia luan me top…

3 Qershor 2025
8:21
Alfred Lleshi
back button

Më 7 qershor 2025, në “Arena Kombëtare” të Tiranës pritet të luhet një ndeshje që nuk është thjesht kualifikuese e rëndësishme për Botërorin 2026. Në fakt është një përballje e ngarkuar me histori, emocione, tension dhe identitet kombëtar. Shqipëria përballet me Serbinë, një ndeshje që është shumë më tepër sesa 90 minuta futbolli.

Një rivalitet që tejkalon sportin – Antagonizmi mes dy kombeve, shqiptar dhe serb, nuk është i panjohur. Në thelb të këtij tensioni qëndron çështja e Kosovës, zemra simbolike e shqiptarëve dhe plagë e hapur në politikën rajonale. Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shqiptarët, nga Tirana në Prishtinë, kudo që jetojnë, si dhe pjesa më e madhe e vendeve të botës, e kanë njohur (sikurse funksionon në fakt) shtet të pavarur. Ky konflikt politik shndërrohet natyrshëm në një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale sa herë këto dy kombëtare përballen në fushë.

Kujtesa e Beogradit 2014, droni që ndezi gjithë Ballkanin – Pikë kthese në këtë histori ishte 14 tetori i vitit 2014, kur në stadiumin “Partizani” të Beogradit, gjatë një ndeshjeje eliminatore për “Euro 2016”, një dron me flamurin e ashtuquajtur të “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushën e lojës. Pas një përplasjeje mes futbollistëve dhe shpërthimit të dhunës në shkallët e stadiumit, ndeshja u ndërpre. Çështja përfundoi në CAS, i cili i dha 3 pikë në tavolinë Shqipërisë. Pikë që rezultuan vendimtare për kualifikimin tonë historik në finalet e një Europiani, për herë të parë.
Ky episod nuk u shua aty, tensioni ka mbetur, është ripërvijuar herë pas here, edhe në mënyrë të tërthortë. Në Botërorin 2018, kur Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, me rrënjë shqiptare nga Kosova, i shënuan gola Serbisë (me fanellën e Zvicrës) dhe festuan me simbolin e shqiponjës, një valë polemikash shpërtheu sërish. Serbia nuk harron, shqiptarët nuk falin…

Lichtsteiner flet për shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit ndaj Serbisë |

Statistikat flasin ndryshe, por zemra nuk matet me shifra – Në letër, historia e përballjeve futbollistike është e njëanshme: 0 fitore për Shqipërinë, 1 barazim dhe 5 humbje. Bilanci i golave është 4 për Shqipërinë dhe 15 për Serbinë. Pra, kombëtarja serbe dominon në të gjitha aspektet statistikore. Megjithatë, kjo përballje nuk luhet vetëm në fushë. Luhet në zemrat e njerëzve, në rrëfimet historike, në krenarinë kombëtare dhe në bindjen se këtë herë Shqipëria nuk është më ajo e viteve të kaluara.

Një bashkëorganizim Europiani, që nuk bashkon – Një tjetër element që ka rritur pakënaqësinë dhe ndjeshmërinë është vendimi i UEFA-s për të pranuar kandidaturën e përbashkët Shqipëri–Serbi për organizimin e Euro U-21 më 2027. Një lajm që në dukje sjell bashkëpunim, por është kontestuar fuqishëm nga tifozët shqiptarë, sidomos ata në Kosovë. Ata e shohin këtë si një kompromis të tepruar me një shtet që nuk e njeh Kosovën, por bashkëorganizojnë një ngjarje europiane.

Serbia and Albania move on from 'drone' game but tensions still simmer |  Soccer | The Guardian

Një përballje që kërkon maturi, por meriton pasion – Më 7 qershor, “Arena Kombëtare” do jetë si një vullkan në prag shpërthimi. Atmosfera do të jetë elektrizuese, emocionet në maksimum dhe historia e pashlyeshme në sfond. Kjo është një mundësi për Shqipërinë që të bëjë histori jo vetëm në rezultat, por edhe në qëndrim. Të tregojë se jemi rritur si komb, si kombëtare, si popull, por pa harruar kurrë kush jemi dhe nga vijmë. Kjo nuk është një ndeshje vetëm për 3 pikë, por edhe dinjitet. Dhe këtë, asnjë statistikë nuk mund ta matë.

Një përballje që pasqyron plagët e hapura të Ballkanit – Përballja Shqipëri-Serbi nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një ndeshje normale futbolli. Është reflektim i një historie të dhimbshme, të ndarë mes luftërash, represionesh, migrimesh të dhunshme, që i kanë ndërlikuar marrëdhëniet mes dy popujve për dekada me radhë. Çështja e Kosovës nuk është thjesht një mosmarrëveshje diplomatike për shqiptarët; është simboli më i thellë i dhimbjes, krenarisë dhe aspiratës për drejtësi historike. Serbia, nga ana tjetër, vazhdon ta shohë Kosovën si pjesë të saj, duke refuzuar pavarësinë dhe shtyrë më tej ndarjen me shqiptarët në çdo nivel; politik, kulturor, edhe sportiv. Në këtë kontekst, fusha e futbollit është kthyer në arenë, ku simbolikat marrin vlerë më të madhe se rezultati vetë.

Një brez i ri, një Shqipëri ndryshe – Ndryshe nga e kaluara, ku shqiptarët përballë Serbisë ndiheshin të vegjël, të përulur, inferiorë në shumë plane, sot Shqipëria ka një brez të artë futbollistësh, të rritur në akademi europiane, që nuk njohin frikë e komplekse. E përbërë nga futbollistë që luajnë në top-kampionate, kjo është kombëtare që lufton si e barabartë me më të mirët, dhe në shtëpi, me publikun e zjarrtë në krah, nuk i trembet askujt, as Serbisë.

Serbia-Albania brawl impossible to believe... NOTHING in football has come  close to this | Daily Mail Online

“Arena Kombëtare”, zemra do të rrahë fort për më shumë se futboll – Tirana, më 7 qershor, do të jetë epiqendra e gjithë vëmendjes rajonale dhe më gjerë. “Arena Kombëtare” nuk do jetë vetëm një stadium, por skenë ku historia, krenaria dhe sporti do të përplasen në mënyrë të ethshme. Emocionet do të jenë të papërmbajtura, simbolikat të forta, çdo top i goditur do të peshojë më shumë sesa thjesht një aksion sportiv.

Thirrje për maturi, por jo harresë – Pavarësisht tensionit të pashmangshëm, kjo përballje është edhe një test i qytetarisë dhe vetëdijes së një kombi, që aspiron europianizmin, por nuk harron rrënjët e tij. Tifozët shqiptarë do të kenë përgjegjësinë të tregojnë forcë, unitet dhe përkrahje të zjarrtë për kombëtaren, pa rënë në provokime, por gjithmonë duke ruajtur krenarinë për kombin dhe flamurin që përfaqësojnë. Shqipëri-Serbi nuk është thjesht një ndeshje futbolli. Është një përballje ku zemra rreh më fort, ku historia jehon në tribuna dhe krenaria predominon në lojë. Më 7 qershor, të gjithë sytë do të jenë aty. Ne si kombëtare kemi një mesazh për t’i dhënë jo vetëm Serbisë, por gjithë botës: Shqipëria është në kërkim të fitores, jo me patriotizëm fals e të sëmurë, por me lojë, karakter dhe dinjitet sportiv.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit