Portugalia fitoi “Nations League”, duke mposhtur Spanjën me penallti, pas gabimit vendimtar të Moratës. Pas ndeshjes, për mikrofonat e “La 1” foli Martin Zubimendi, mesfushori i Spanjës dhe autor i golit të parë të takimit.
“Tani është e vështirë të gjejmë diçka pozitive, por duhet vlerësuar fakti që kemi luajtur tri finale radhazi. Është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë”, – tha lojtari iberik, duke theksuar qëndrueshmërinë në nivelet e larta të përfaqësueses spanjolle, në turnetë e fundit ndërkombëtarë.
Duke analizuar ndeshjen, numri 18 i Spanjës pranoi cilësinë e kundërshtarit: “Ishte një ndeshje e barabartë, Portugalia është kombëtare me shumë cilësi, shumë e ngjashme me ne. Aty u bë diferenca, te detajet dhe penalltitë”.
Në fund, Zubimendi pranoi se do t’i duhet kohë për ta përtypur këtë zhgënjim: “Kishim shumë besim për këtë kompeticion, trishtimi do të më zgjasë pak. Tani, pas pushimeve, do të vijnë objektiva të tjerë”.







