De Biasi paralajmëron Gattuson: Të jesh trajner klubi dhe kombëtareje, gati dy profesione të ndryshme

16 Qershor 2025
10:15
Alfred Lleshi
back button

Trajneri Gianni De Biasi foli për “Radio Anch’Io Sport” në “Radio Rai”, duke u ndalur në emërimin e Gennaro Gattusos si trajner i ri i Italisë: “Rino është një person me karakter dhe vendosmëri. E ka treguar si në fushë, ashtu edhe në pankinë. Sidoqoftë, kjo punë nuk është vetëm çështje personaliteti. Duhet parë si do të përshtatet filozofia e tij me lojtarët në dispozicion. Gattuso e njeh ambientin, por kjo nuk mjafton për të zgjidhur gjithçka”.

Fillimi i ciklit të Gattusos në kombëtare: “Të kesh kohë përpara është thelbësore. Rino do të ketë mundësinë të kontaktojë lojtarët që i përshtaten idesë së tij dhe kjo është një gjë pozitive. Duhet parë gjithashtu në çfarë gjendje fizike do të mbërrijnë lojtarët në dy ndeshjet e ardhshme, që nuk janë tepër të vështira. Do të jetë e rëndësishme që Gattuso të nisë menjëherë nga puna dhe të kërkojë konkretësi, duke kuptuar se të jesh përzgjedhës (selektor) kombëtareje është diçka ndryshe nga të qenit trajner klubi. Janë thuajse dy profesione të ndryshme. Në kombëtare i sheh lojtarët herë pas here, por duhet t’i bësh të ndihen të rëndësishëm dhe të përkëdhelur, por edhe të marrësh prej tyre përgjegjësi”.

Pak dashuri për fanellën e Italisë: “Bluja është një ngjyrë që i jep jetë emocioneve tona. Duhet të përpiqemi të jemi më mirëkuptues; futbollistët kanë ndryshuar mentalitet dhe imazh. Kur vesh fanellën e Italisë, duhet të japësh 150% nga vetja. Ky do të ishte kushti i parë me të cilin do të flisja me çdo lojtar, që do të doja ta ftoja në kombëtare”.

Me Gattuson mund të vijnë edhe Prandelli dhe Bonucci: “Pyetja e parë që i bëj vetes është: A do t’i pëlqejnë Rinos gjithë këto njerëz rreth tij? E rëndësishme është që të mos jenë thjesht figura dekorative për të zbukuruar paketën. Shumë njerëz mund të ndihmojnë, por mund të krijojnë edhe konfuzion. Besoj ju kujtohet ajo shprehja e shumë gjelave në të njëjtin kotec…”

A është kontaktuar ndonjëherë De Biasi nga Gravina: “Sinqerisht nuk jam kontaktuar asnjëherë nga federata. Nëse do të më kontaktonin, do të isha shumë i gatshëm të jepja këshilla, duke qenë se kam 9 vite eksperiencë si trajner kombëtaresh”.

Çfarë shpreson për Brescia e tij: “Shpresoj që Brescia të mos zhduket nga futbolli, siç ndoshta ndonjë ka tentuar ta bëjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit