Inter Miami ka në radhët e veta më të madhin e futbollit (Leo Messi), por mbetet një mrekulli sportive-tregtare. Mjafton një fakt: u krijua në vitin 2018, nisi të konkurrojë në MLS në vitin 2020 dhe, në këtë periudhë të shkurtër, tashmë ka kaluar në disa aspekte tregtare edhe disa nga klubet e mëdha të Europës.
Sigurisht, një klub ka nevojë të fitojë për të pasur histori dhe tifozë. Dhe për këtë arsye, Jorge Mas, pronari i klubit, mendoi për Leon si boshtin kryesor për të ndërtuar një skuadër që, në fushë, nuk është vetëm Messi, por edhe Luis Suárez, Jordi Alba, Sergi Busquets, Óscar Ustari, Fede Redondo…
Miami është qyteti më në “modë” i SHBA pas pandemisë. Ky Inter i shkon për mrekulli qytetit, për ta shitur futbollin në një vend ku mbizotërojnë sportet amerikane. Për këtë arsye, klubi që sot drejtohet si ekzekutiv nga katalanasi Xavi Asensi, krijoi një plan të studiuar mirë me disa elemente “fashion”: uniformat rozë; përfshirja e David Beckham në pronësi; yjet e showbizit që popullojnë tribunat… Gjithçka për ta bërë Inter Miami një klub tërheqës.
Dhe jo vetëm duke menduar për të tashmen, e siguruar me Leon dhe yjet e tjerë, por edhe për të ardhmen. Miami do të jetë epiqendra e futbollit botëror në tri verë radhazi: “Copa América” 2024; Kupa e Botës për Klube 2025 dhe Botërori i madh 2026. Kjo qendër ka nevojë për “karamele” për të gjeneruar vlerë të shtuar për të ardhmen.
Një e ardhme që, ndër të tjera, do të karakterizohet nga “Miami Freedom Park” (25.000 vende), stadiumi i ri i klubit që po ndërtohet pranë aeroportit të qytetit dhe pritet të jetë gati në vitin 2026. Me atë impiant, Inter do të hyjë në një tjetër dimension komercial, jo vetëm duke u mbështetur te ndeshjet: evente të ndryshme, qendra tregtare, koncerte, dasma…
Drejtuesit duhet ta lodhin mendjen për ta bërë të leverdishëm financiarisht një klub në vendin më kapitalist në botë, por me rregullat më “komuniste” për futbollin. Po, sepse nga 200 milionë dollarë të ardhura që ka Inter Miami, vetëm 2% vijnë nga televizioni, për shkak të një ndarje të vjetruar që imponon MLS-ja, sipas së cilës Colorado Rapids, një ekip me shumë pak interes, merr të njëjtën shumë sa edhe Inter Miami, për të cilin garojnë të gjithë ta shohin në TV (Apple TV) dhe në stadium (çdo ndeshje me Messin është ‘sold-out’).
Në Miami janë të çmendur pas Messit, por edhe në MLS. Shifrat janë të qarta. Sezoni 2023-2024 regjistroi një rekord historik të pranisë së tifozëve në stadiume: 11.461.409 spektatorë, 6% më shumë se në 2022-2023 dhe 15% më shumë se në 2021-2022. Vetëm në korrikun e vitit 2023, muaj i debutimit të Messit, “Apple TV” shtoi 300.000 abonentë të rinj për “MLS Season Pass”, duke dyfishuar bazën e klientëve të saj.
Fanella me numrin 10 të Inter Miami ishte më e shitura (sipas të dhënave të fundit), duke kontribuar në një rritje prej 41% në shitjet e produkteve zyrtare. Fanella e Suárez është e dyta më e shitur. Nga “efekti Messi” përfitojnë edhe rivalët. Kundërshtarët e Inter Miami gjeneruan 84 milionë dollarë të ardhura shtesë nga shitja e biletave vetëm për faktin që prisnin Inter Miami.
Çmimi mesatar i biletave u rrit me 1.7%. Vetëm në sezonin pas mbërritjes së Messit, të ardhurat nga biletat arritën në 265 milionë dollarë. E njëjta histori edhe në rrjetet sociale. Që nga nënshkrimi me yllin argjentinas, numri i ndjekësve është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Edhe vetë klubi ka përfituar ndjeshëm: vlera e tij është rritur me 103%, duke arritur në 1.19 miliardë dollarë.
Sonte, ndërkohë, Inter Miami largohet nga “fortesa” e tij në Miami për t’u përballur me Porton, ku Gabri Veiga do të jetë të paktën në stol. “Flamingot” shpresojnë të rikuperojnë Jordi Alba, i cili nuk luajti në ndeshjen e parë, që përfundoi 0-0 kundër Al Ahly, i njëjti rezultat që regjistroi edhe Porto kundër Palmeiras. Në një grup që duket shumë i barabartë, rezultati i sotëm, në rast fitoreje, mund të jetë gjysmë bilete për në fazën e 1/8-ave.
Messi e përballon këtë sfidë me rekordin se nuk është eliminuar kurrë në fazën e grupeve, në asnjë kompeticion, në karrierën e tij, as me klubet, as me kombëtaren. Dhe nuk do që kjo të ndryshojë pikërisht tani në këtë Kupë Bote për Klube, që do të mbyllet me ndeshjen e tretë të grupit, kundër Palmeiras në “Hard Rock Stadium” të Miamit.







