Midis surrealizmit dhe një incidenti diplomatik. Vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, mes një sulmi transfobik nga ana e Donald Trump dhe përgjigjeve të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, ka krijuar një ndjesi të konsiderueshme sikleti për disa nga lojtarët bardhezinj.
Ndër ta, në radhë të parë, ishin pikërisht amerikanët Timothy Weah dhe Weston McKennie. Në rrjetet sociale janë bërë “virale” fytyrat e habitura të të dyve. Weah, pas fitores 5-0 ndaj Al Ain në Botërorin për Klube, komentoi për “The Athletic” mbi atë që ndodhi:
“Ishte gjithçka surprizë. Për të qenë i sinqertë na thanë që duhej të shkonim dhe nuk kishim shumë zgjedhje. Më zuri në befasi, ishte e gjitha pak e çuditshme. Kur filloi të fliste për politikë, për Iranin dhe të gjitha këto gjëra, unë mendoja: shoku, unë dua vetëm të luaj futboll”.
Për kronikë, babai i tij, George Weah, kur ishte president i Liberisë, e kishte uruar Trump për rizgjedhjen, por më pas pa që Liberia u përfshi në listën e 36 vendeve, qytetarët e të cilave nuk mund ta vizitonin SHBA.
McKennie, nga ana tjetër, e kishte kritikuar publikisht Trumpin që më parë. Në vitin 2020, kujton “NY Times”, mesfushori i Juventusit kishte ndërhyrë gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” dhe kishte deklaruar për “Bild”: “Nuk mendoj që Trump është njeriu i duhur për të qenë president dhe ende nuk e mendoj. Besoj që ai nuk e kupton përgjegjësinë që sjell ky rol. Trump është një injorant, nuk është njeri i fjalës. Për mua mund ta quani lirisht racist”.
Vetë vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, në fakt, ka ngjallur shumë dyshime jo vetëm në Itali, por edhe në SHBA. Shumë janë pyetur pse klubi bardhezi, ndryshe nga klubet e tjera pjesëmarrëse në Botërorin për Klube, është ftuar nga Trump. Çështja, thekson “The Athletic”, u ngrit edhe në konferencën për shtyp të Igor Tudor pas fitores ndaj Al Ain.
Zyrtari i FIFA-s, i pranishëm në sallën e konferencës, megjithatë, kërkoi që të bëheshin vetëm pyetje për ndeshjen, duke e përsëritur këtë edhe pasi gazetari sqaroi se, duke qenë se kishte përfshirë pothuajse gjithë ekipin, ishte pyetje e lidhur me një fakt të ndodhur menjëherë para ndeshjes, pra në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidhur. Në takimin në Zyrën Ovale, për kronikë, ishte i pranishëm edhe Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s.







