Lionel Messi ka dashur t’i bëjë publikisht nderime Cristiano Ronaldos, rivalit të tij historik për më shumë se një dekadë. Në një intervistë të fundit, ylli argjentinas theksoi respektin e thellë që ka për portugezin, duke vlerësuar karrierën dhe qëndrueshmërinë e tij në nivelet më të larta: “Kam një respekt të madh për Cristiano Ronaldon, për karrierën e tij, sepse ende konkurron në nivelet më të larta”.
Për vite me radhë, Messi dhe Ronaldo ndezën botën e futbollit me një nga rivalitetet më ikonike në historinë e sportit, duke veshur fanellat e Barcelonës dhe Real Madridit. Ata kanë qenë liderë të padiskutueshëm në kombëtaret e tyre dhe në skenat më të mëdha europiane, me klubet respektive. Sipas Messit, gjithçka ka mbetur gjithmonë brenda kufijve të fushës: “Rivaliteti ynë ishte në fushë, të dy donim më të mirën për ekipet tona. Jashtë fushës jemi njerëz normalë”.
Edhe pse nuk janë bërë kurrë miq dhe nuk kanë pasur raste të frekuentohen në jetën private, Messi ka nënvizuar vlerën njerëzore të këtij rivaliteti sportiv: “Nuk kemi kaluar kohë bashkë, nuk jemi miq, por gjithmonë e kemi trajtuar njëri-tjetrin me shumë respekt”.
Një njohje e rrallë dhe e sinqertë; sot, me karrierat e tyre drejt fundit, por ende me shkëlqim. Fjalët e Messit përfaqësojnë një nderim autentik ndaj rivalit, që e ka bërë edhe vetë argjentinasin më të madh.







