Michel Platini feston sot 70-vjetorin e lindjes. Ish-sulmuesi i Juventusit dha një intervistë për “La Stampa”, ku ka rrëfyer karrierën e tij, nga periudha me fanellën bardhezi deri te drejtimi i UEFA-s. Me Juventusin, “Le Roi” ka fituar praktikisht gjithçka: një kampionat, një Kupë Italie, një Kupë të Kupave, një Superkupë Europe dhe një Kupë Kampionesh.

Intervista nis me kujtimin e avokatit Gianni Agnelli, për të cilin Platini rrëfen: “Deshi me çdo kusht të më kishte te Juventusi, por unë nuk e dija kush ishte. E zbulova pak nga pak dhe ishte një njeri i madh. I dhurova një nga tre ‘Topat e Artë’ të mitë, sepse ishte një nga të paktat gjëra që ai nuk mund ta kishte. Shakaja më vete, e bëra nga mirënjohja. Juventusi më bëri të madh, më bëri të njohur në të gjithë botën, ndaj ishte e drejtë t’ia dhuroja atij”.
Më pas shtoi për Paolo Rossin dhe Gaetano Scirean: “Më mungojnë shumë. Do të kisha dashur t’i kisha pranë për të festuar së bashku”.
Më tej, vazhdoi akoma: “Boniperti ishte vetë Juventusi, me Trapattonin në pankinë formonin një dyshe të jashtëzakonshme, shumë të rëndësishme për klubin tonë dhe për gjithë futbollin”.
Në pesë vite me fanellën e Juventusit, Platini grumbulloi 147 paraqitje dhe shënoi 68 gola. Për francezin ishte e vështirë të zgjidhte momentin më të bukur me bardhezinjtë: “Ishin pesë vite bukurie të madhe për mua. Më e thjeshtë, fatkeqësisht, është të veçoj momentin më të keq. Heysel është një faqe tragjike për mua, si për ty (iu drejtua Marco Tardellit, autorit të intervistës dhe ish-shokut të tij te Juventusi). Është vërtet e vështirë të flas për këtë. Më bën të ndihem keq të mendoj që disa tifozë kishin ardhur për të më parë dhe nuk u kthyen më në shtëpi”.

Ndër kujtimet e hidhura nga përvoja me Juventusin është edhe goli i anuluar në Tokio, në finalen e Kupës Interkontinentale kundër Argentinos Juniors, që dha shkëndijën për një nga protestat më ikonike të historisë: “Unë i shtrirë në barin e fushës së Tokios? Ishte një reagim ndaj padrejtësisë, më anuluan një gol të mrekullueshëm dhe kuptova se jeta është plot me padrejtësi. Sidoqoftë, zgjati vetëm një çast, u ngrita menjëherë sepse duhej të fitoja”.
Largimi nga Juventusi, në vitin 1987, përkoi me tërheqjen nga futbolli: “Isha vetëm 32 vjeç, por benzina kishte mbaruar. E kuptova në një ndeshje kundër Sampdorias. Isha pesë metra përpara dhe papritur u gjenda pesë metra prapa”.
Karriera si futbollist përfundoi dhe filloi ajo si drejtues, si president i UEFA-s. “Kam dalë i pastër, por sërish fituan armiqtë e mi. Megjithatë, më vodhën 10 vite jetë”, – deklaron ai për çështjen e pafajësisë mbi akuzat për mashtrim ndaj FIFA-s, së bashku me ish-presidentin Sepp Blatter. Pastaj shtoi: “E them sërish, Marco. Ashtu ndodhi, jam mirë kështu”.
Nuk mund të mungonte edhe një koment për futbollin modern: “Unë gjithmonë kam parë futbollistin dhe lojën, pjesa tjetër nuk më ka interesuar kurrë. Ligji Bosman e vrau filozofinë e futbollit. Sot për të fituar duhet të kesh para, mjafton të shohësh historinë e City dhe PSG”.
Në fund, një mendim edhe për të ardhmen e tij: “Nuk e shoh të ardhmen, nuk e kam parë kurrë, as kur isha futbollist. Gjithmonë kam pranuar fatin”.







