Lajme të mira për Milanin, në orët në vijim mund të zhbllokohet, më në fund, shitja e Theo Hernandez tek Al Hilal. Mbrojtësi i majtë francez, i cili ditët e fundit pa të dështonte kalimi tek Atletico Madridi, destinacioni i tij i preferuar (spanjollët nuk ofruan kurrë më shumë se 20 milionë euro, me bonuse të përfshira), tani është shprehur i gatshëm të ulet në tavolinë për të dëgjuar ofertën e klubit saudit.
Një hap që në “Via Aldo Rossi” është pritur pozitivisht. Tentativa e parë e arabëve, e bërë përpara fillimit të Botërorit për Klube, kishte dështuar pikërisht për shkak të qëndrimit të ish-lojtarit të Real Madridit, i cili nuk dëshironte të konsideronte një transferim jashtë Europës.
Tani, siç mund të imagjinohet lehtësisht, historia mund të ketë një përfundim ndryshe. Marrëveshja mes Milanit dhe Al Hilal është arritur prej disa javësh. Drejtori sportiv Igli Tare, në fakt, kishte pranuar pozitivisht ofertën prej 30 milionë eurosh, plus bonuse, të paraqitur nga klubi i drejtuar prej Simone Inzaghi.
Në fund të fundit, një shifër kaq e lartë për një lojtar që i skadon kontrata pas një viti konsiderohet “flori i pastër”. Me shumë gjasa, presioni i ish-trajnerit të Interit, i etur për të punuar me Theon, i ka shtyrë arabët të rikthehen në skenë dhe tani marrëveshja përfundimtare nuk është shumë larg. “Klubi po punon…”, – ka thënë vetë Inzaghi disa orë më parë, shenjë se pista është ende e hapur.
Nëse shitja e Theo Hernandez do të konkretizohej, Milani do të hiqte qafe një problem të madh, duke siguruar gjithashtu një shumë të rëndësishme për ta investuar (ndoshta) në merkato.







