“Taremi është mirë. Unë arrita të kthehesha në shtëpi një ditë para bombardimeve. Jam mirë dhe çdo ditë mbaj kontakte me miqtë e mi nga stafi teknik, masazhatorët dhe magazinierët, që janë ende atje. Mendimet e mia janë për ta”. Kështu u shpreh Antonio Manicone, ish-lojtar i Interit dhe aktualisht zëvendës trajner i Iranit, në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”.
“Para se të largohesha, nuk kishte asnjë sinjal që mund të ndodhte diçka e tillë, – vazhdoi Manicone. – Të shoh një situatë të tillë më trishton shumë, shpresoj që shumë shpejt të gjitha palët të arrijnë marrëveshje për armëpushim. Kur komunikoj me miqtë e mi të stafit, mundohem të flas për futboll me ta, për organizimin e miqësoreve apo grumbullimeve.
Duam të besojmë se kjo situatë do të zgjidhet shpejt. Futbolli është një mjet që bashkon popujt dhe njerëzit. Është bukur të bësh pjesë në botën e futbollit, sepse sheh vende të reja dhe përpiqesh të flasësh për gjëra pozitive si futbolli në fushë. Edhe në Iran, FIFA po bën shumë për ta çuar futbollin në nivelin e atij europian”.
Si nisi aventura në Iran: “Më telefonuan pas eksperiencës time te Bordeaux. Kam punuar shtatë vite me kombëtaren zvicerane, me dy Europianë dhe një Botëror. Pas Bordeaux, më telefonoi drejtori i përgjithshëm i kombëtares iraniane. Donin ta ngrinin nivelin e tyre të futbollit.
Arritëm një marrëveshje fillimisht për Kupën e Azisë, ku shkuam deri në gjysmëfinale, më pas ramë dakord të vazhdonim deri në Botërorin 2026. Tani më kanë besuar edhe detyrën e drejtorit teknik të kombëtares olimpike, në funksion të kualifikueseve të Kupës së Azisë U-23, që do të zhvillohen në shtator”.







