Me transferimin te Fiorentina verën e kaluar për 14 milionë euro, Moise Kean la pas periudhën e errët që kaloi në karrierën e tij pas disa huazimesh dhe sezonin e fundit “rilindi” te klubi vjollcë. 25-vjeçari shënoi 19 gola në sezonin e fundit në Serie A, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas Mateo Retegui me 25 gola. Kjo formë e mirë e treguar te Fiorentina, nuk ka kaluar pa u vënë re nga Manchester United.
Ruben Amorim i pakënaqur me sulmuesit që ka aktualisht në ekip ka kërkuar nga drejtuesit e klubit transferimin e Moise Kean. Italiani ka qenë më parë pjesë e Premier League, ku u transferua në gusht të vitit 2019 nga Juventus tek Everton për 40 milionë euro, por rezultoi një dështim i madh. Në 39 ndeshje me Everton, shënoi vetëm 4 gola.
Sipas mediave angleze, Man. United është të gati të paguajë klauzolën që Fiorentina ka vendosur për kartonin e Moise Kean, që është 52 milionë euro. Ndërkohë, vetë sulmuesi është i dyzuar për një rikthim në Angli, pasi ndihet mirë te Fiorentina dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.







