“Ta fitojmë Kupën e Botës? Sigurisht që e mendojmë, jemi Juventusi”. Michele Di Gregorio nuk ka dyshime. Juventusi vjen pas suksesit kundër Wydad në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Botës për Klube në SHBA dhe tani po përgatitet për sfidën e fundit kundër Manchester City, përpara fazës me eliminim direkt. Portieri bardhezi, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, është ndalur pikërisht te ky kompeticion:
“Kur je te Juventusi, mendimi i vetëm është të fitosh gjithmonë. Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para të grupit, besoj se është edhe më e drejtë të besojmë. Jemi këtu për ta nderuar sa më mirë këtë turne dhe, duke qenë se jemi Juventusi, edhe për ta fituar”.
Më pas, portieri është ndalur te trajneri Igor Tudor: “Përtej fjalëve dhe aspekteve taktike, që janë gjithmonë të rëndësishme, Tudor ka qenë i zoti mbi të gjitha të prekte telat e duhur te skuadra në aspektin emocional. Kur mbërriti te Juventusi në fund të marsit, ne vinim nga dy humbje të rënda dhe ishte e vështirë të ringriheshim. Sidoqoftë, ai ia doli.
Tudor na kërkoi agresivitet, shumë vrap dhe intensitet, kjo është ajo që na lejon edhe sot të qëndrojmë mirë në fushë. Si në debutimin në Kupën e Botës për Klube, ashtu edhe kundër Wydad, pashë një skuadër të vendosur mirë në fushë dhe në formë fizike për 95 minuta”.







