Milani po pret momentin e duhur për të goditur me Granit Xhakën, por një gjë në “Via Aldo Rossi” është tashmë e qartë: për ta marrë mesfushorin shqiptaro-zviceran nuk do të mjaftojë një negociatë në distancë, ndoshta e zhvilluar nga një agjent.
Drejtori sportiv Igli Tare e di që për të bindur Bayer Leverkusenin të ulet në tavolinë për të biseduar mbi shitjen e Xhakës do të jetë i nevojshëm një tjetër udhëtim në Gjermani. Edhe pse vetë lojtari është hapur pa hezitim ndaj një transferimi në Serie A, i tunduar nga një klub historik si Milani dhe aventura në një kampionat që ende nuk e njeh, kuqezinjtë janë të vetëdijshëm që mes klubeve të mëdhenj, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë që konsiderohen të pazëvendësueshëm nga klubi që i zotëron, duhet bërë çdo hap me kujdes.
Ndër këto hapa, në ditët e ardhshme do të jetë edhe një takim “kokë më kokë” në Leverkusen me drejtuesit e “aspirinave”. Synimi është të shembet muri i ngritur rreth Xhakës. Deri më tani nga ana e gjermanëve nuk ka pasur hapje për një largim, edhe sepse këtë pranverë dhe verë ata kanë humbur tashmë trajnerin Xabi Alonso dhe tri shtylla të skuadrës si Frimpong, Tah e Wirtz. Kështu, Bayer nuk dëshiron të privohet edhe nga Xhaka, madje as përballë një oferte të parë mbi 10 milionë euro për një “regjisor” që në pak muaj mbush 33 vjeç.
Milani e ka kuptuar që kjo negociatë nuk do të jetë e lehtë dhe se do të duhet ofertë më e lartë, sepse trajneri Ten Hag dëshiron ta bëjë Xhakën kapiten të skuadrës. Pra, pjesa diplomatike do të ketë po aq peshë sa ajo ekonomike. Përpara se të flitet për çmimin, do të duhet të bindet Leverkuseni që të ulet në tryezë. Ndërkohë, karta “Thiaw” nuk mund të përdoret për ta bindur Bayerin, sepse gjermanët janë pranë mbylljes së marrëveshjes me Quansah nga Liverpool-i.
Marrëveshje që do të finalizohet pas përfundimit të Europianit U-21. Megjithatë, kjo lëvizje me Liverpool-in nuk përjashton plotësisht mundësinë që Thiaw të rikthehet në Gjermani, edhe sepse Bayer mund të marrë një tjetër qendërmbrojtës, ndërkohë që klube të tjera janë të interesuara për të, ndonëse asnjë prej tyre nuk ka ofruar ende 35 milionë eurot që Milani kërkonte verën e kaluar.
Nëse Malick do të përfshihej në negociatë, për Furlani dhe Tare do të ishte më e lehtë të arrinin te Xhaka, por për momentin… Çfarë mungon? Milani është i bindur se Xhaka do t’i sillte mesfushës kuqezi dy cilësi që Allegri i kërkon me ngulm: fizik dhe lidership.
Fofana konsiderohet si një shtyllë e sigurt për të ardhmen, por Xhaka nga ana e karakterit dhe ndikimit në lojë mund të ofrojë edhe më shumë. Dyshja e tyre, bashkë me Modric dhe njërit mes Jashari e Guerra, do t’i jepte mesfushës kuqezi një strukturë shumë të fortë.
Sa i përket Guerra (Valencia), lojtari i ka bërë të ditur klubit që nuk do ta rinovojë kontratën që skadon më 2027 dhe dëshiron të largohet këtë verë. Oferta e parë e Milanit prej 16 milionë eurosh, plus 4 milionë bonuse është refuzuar nga klubi i Lim, por në ditët në vijim pritet një ofertë e re.
Ndërkohë, në orët e fundit, Milani ka rritur presionin për Jasharin e Club Brugge. Oferta formale kuqezi është 30 milionë euro për kosovarin, ndërsa belgët kërkojnë 40 milionë.







