Juventusi përshëndet Botërorin për Klube me një paraqitje të mirë, por pa gola. Pas turpërimit ndaj Manchester City, bardhezinjtë ngritën kokën, por gjithsesi humbën. Në Miami përfundon 1-0 në favor të Real Madridit, që kalon në çerekfinalet e kompeticionit të ri të FIFA-s, ndërsa bardhezinjtë ndjekin shembullin e Interit dhe kthehen në Itali.
Di Gregorio, me pritje vendimtare, nuk mjaftoi. Ashtu si ndaj Manchester City, edhe pse këtë herë pa nxjerrë pesë topa nga rrjeta, më i miri i bardhezinjve ishte portieri. Vlerësimi 7.5 si notë, gjithashtu edhe për Gonzalo Garcia, “përbindëshi” i “Zonjës së Vjetër”, që konfirmohet si zbulimi kryesor i këtij Botërori.
Fjalët e trajnerëve
“Jemi të kënaqur me rezultatin, paraqitjen dhe kalimin e turit, – tha madrileni Xabi Alonso. – Patëm vështirësi në 15 minutat e para, na duhej të merrnim masat. Iu thashë djemve të qëndronin të bashkuar në qendër dhe të kërkonin hapësira në krahë, ku mund ta dëmtonim Juven”.
Nga ana e tij, Igor Tudor dha sqarime dhe shfaqi dyshime mbi zëvendësimin e Kenan Yildiz, foli edhe mbi zgjedhjen për ta lënë në stol Dusan Vlahovic. “Dhjetë lojtarë më kërkuan zëvendësim, – sqaroi trajneri bardhezi pas ndeshjes. – Kenan po lodhej dhe kisha frikë mos dëmtohej. Doja të bëja edhe ndonjë zëvendësim më ofensiv, por lojtarë të tjerë ishin të lodhur dhe kisha frikë mos e mbyllnim me dhjetë vetë. Gjithsesi, i përgëzova djemtë”.
Sonte kishte dallim të qartë në ekipin tuaj, krahasuar me disfatën ndaj City…
Ishte një ndeshje e përgatitur në një mënyrë tjetër, me një strategji tjetër dhe në një kontekst tjetër. Ishte një ndeshje krejtësisht ndryshe. Ajo kundër City nuk kishte asnjë rëndësi, kjo kishte shumë rëndësi dhe e përgatitëm ndryshe, sepse luanim përballë një skuadre që është e fortë në çdo aspekt. Humbëm disa raste, e vumë veten në vështirësi kur ishte momenti të vuanim, tani duhet të pushojmë mirë dhe të rifillojmë.
Botërori për Klube la gjithsesi diçka të rëndësishme për Juventusin…
Sigurisht, po të kihet parasysh niveli i skuadrave që përballuam. Mos harroni se sfiduam klube që janë më të mirët që ekzistojnë. Ishte një eksperiencë e bukur për lojtarët dhe përfitim i madh. Tani djemtë duhet të pushojnë dhe më pas të rifillojmë me force përgatitjet për sezonin e ri.
Para mikrofonëve doli edhe Damien Comolli, drejtori i përgjithshëm i Juventusit: “Ka shumë zhgënjim për këtë humbje, por edhe ndërgjegjësim se sa shumë do të mësojmë nga kjo aventurë. Dhe se sa e fortë është kjo skuadër”.







