Rritet optimizmi për Jasharin te kuqezinjtë, Club Brugge nuk e grumbullon për Superkupën

21 Korrik 2025
8:06
Alfred Lleshi
back button

Për tifozët kuqezinj, kjo histori është kthyer në një “telenovelë” të pafund. Ardon Jashari dhe Milani duan njëri-tjetrin, prej javësh e ndjekin njëri-tjetrin në distancë. Pengesa kryesore? Club Brugge, i cili vazhdon të qëndrojë i palëkundur në kërkesën e tij prej 40 milionë eurosh, shumë që “Djalli” nuk ka ndërmend ta paguajë.

Tani ka një zhvillim të ri që ndez optimizmin te kuqezinjtë: Jashari nuk ishte grumbulluar nga Brugge për Superkupën e Belgjikës kundër Saint-Gilloise. Një sinjal i fortë që konfirmon se mes lojtarit dhe klubit ka krisje serioze. Që nga fillimi i përgatitjeve, Jashari stërvitet veçmas grupit dhe së fundi ka munguar edhe në fotografinë zyrtare të skuadrës, një tjetër shenjë që e tregon si të “ndarë në shtëpi”.

Marrëdhënia mes Milanit dhe Jasharit është e qartë, dashuri reciproke. Në kampin kuqezi nuk ka asnjë dyshim. Igli Tare dhe trajneri Massimiliano Allegri e shohin mesfushorin e kombëtares zvicerane, të lindur në vitin 2002, si pjesën që mungon për të plotësuar një mesfushë të ndërtuar mbi ekuilibër dhe cilësi, përkrah Modrić, Ricci dhe Fofana.

Oferta e Milanit mbetet e pandryshuar; 32 milionë euro + 6 milionë bonuse. Shifër që në “Casa Milan” konsiderohet më se e drejtë. Brugge, nga ana tjetër, vazhdon të kërkojë 35 milionë euro si bazë fikse dhe 5 milionë në formë bonusesh për të arritur në totalin e kërkuar prej 40 milionësh.

Ndërkohë, tensioni mes Jasharit dhe klubit belg rritet dita-ditës. Është e pamundur të injorohet fakti se lojtari ka shpallur qartë dëshirën për t’u bashkuar me Milanin, ndërsa klubet e tjera të interesuara janë tërhequr sapo kanë mësuar se prioriteti absolut i futbollistit është “Djalli”.

Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, Igli Tare është takuar së fundi me agjentin e Jasharit për të përgatitur një “sulm të ri”, ndonëse pa e rritur ofertën. Brugge, i cili e sheh veten çdo ditë e më shumë me “shpinën pas murit”, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë ta mbajë një lojtar të pakënaqur dhe të ikur mendërisht. Milani tashmë ka rifituar besimin dhe finishi duket më pranë se kurrë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit