Oscar, frakturë në shtyllën kurrizore. Përplasje e tmerrshme në fushë për ish-yllin e Chelsea (video)

22 Korrik 2025
9:40
Alfred Lleshi
back button

Një lajm i trishtë vjen nga futbolli Brazilian. Mesfushori Óscar, sot pjesë e São Paulo, dikur një nga emrat më të ndritur të Premier League me fanellën e Chelsea, ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë superderbit kundër Corinthians. Një përplasje e dhunshme me José Martínez brenda zonës e ka rrëzuar keq në tokë, duke i shkaktuar fraktura në tre vertebra të shtyllës kurrizore (L1, L2, L3).

Pamjet janë tronditëse; Oscar bie keq pas një dyluftimi ajror dhe menjëherë tregon shenja dhimbjesh të forta. Me vështirësi të dukshme në ecje, ai braktis fushën i përkrahur nga stafi mjekësor, duke u transportuar më pas me urgjencë në spital për ekzaminime të specializuara.

Raporti zyrtar i klubit konfirmon: “Oscar pësoi një traumë direkte në pjesën e poshtme të shpinës. Pas rezonancës dhe ekzaminimeve të tjera, u konstatua frakturë në proceset transversale të tre vertebrave. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe pa dëmtime neurologjike. Do të trajtohet në mënyrë konservative, me kontroll të dhimbjes, pushim dhe rehabilitim të kujdesshëm”.

Koha e rikuperimit? 4 deri në 8 javë, në varësi të ecurisë klinike. Një goditje për trajnerin Hernán Crespo, që e kishte kthyer brazilianin në bosht të mesfushës. Oscar, pas aventurës në Kinë, po kërkonte rilindjen në futbollin e vendlindjes, por ky episod i rëndë mund ta lërë jashtë fushave për një kohë të konsiderueshme. Për momentin, lajmi pozitiv është mungesa e komplikimeve neurologjike dhe shpresat për një rikthim të plotë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit