Guardiola kërkon rikthimin e Cole Palmer, Chelsea i vë çmimin shokues yllit anglez

26 Korrik 2025
16:56
Telesport
back button

Chelsea e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të lejojë largimin e Cole Palmer, pas interesimit nga Man. City. Klubi londinez i ka thënë “jo” një oferte prej më shumë se 170 milionë eurosh për Cole Palmer, nga Man. City, ish-ekipi i tij.

Cole Palmer është kthyer në një lojtar tejet të rëndësishëm për “Blutë”, gjë që e tregoi më së miri dhe në suksesin në Kupën e Botës për Klube, ku anglezi u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut.

Palmer u transferua në merkaton e janarit në vitin 2023 nga City te Chelsea për 47 milionë euro. Në sezonin e fundit me “Blutë”, anglezi shënoi 18 gola dhe dha 14 asiste në 52 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Chelsea, duke e ditur se çfarë ka në dorë, nuk po nxitohet. Palmer ka një kontratë afatgjatë dhe është një nga shtyllat mbi të cilat ata duan të ndërtojnë projektin e tyre të ardhshëm.

Pikërisht për këtë arsye, Chelsea i ka treguar Man. City-t, që Cole Palmer mund të largohet vetëm për shifrën 250 milionë euro, shifër që do të tejkalonte rekordin e vendosur nga Neymar në vitin 2017, kur u transferua nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro.

Tarifa që drejtuesit e Chelsea-s kanë vënë në tryezë për Cole Palmer nuk është vetëm një strategji për të trembur pretendentët dhe ekipet e interesuara për anglezin, por edhe një mënyrë për të demonstruar vendosmërinë e “Bluve” për të konkurruar me më të mirët duke mbajtur lojtarët e tyre më të rëndësishëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit