Giuseppe Bergomi, ish-mbrojtësi legjendar italian, ka dhënë mendimin e tij për fillimin e sezonit të ri në Serie A. Në intervistën për “Corriere dello Sport” u shpreh si më poshtë:
Për Interin e Chivu – “Interit do t’i duhet fuqia e duhur mendore pas finales së Mynihut, megjithatë meriton lavdërime për ambiciet që ka. Chivu duhet të hyjë në mendjen e një grupi që vjen nga një cikël i madh, ndër të ardhurit e rinj nga merkatoja nuk shoh titullarë. Ndoshta vetëm Sucic”.
Për Napolin – “I ka bërë gjërat si duhet, duke filluar nga ardhja e De Bruyne, që sjell talent në një kampionat ku lojtarët mbi të 30-tat funksionojnë ende mirë. Ekipi i Contes është fizik, por ka edhe krahë të aftë, sikurse spikat në duelet një kundër një. Ka shtuar edhe një dublant për Lukaku si Lucca, element i rëndësishëm për futbollin italian. Për mua, Napoli është skuadra e strukturuar më mirë”.
Për Milanin – “Në vitet e fundit gjithmonë kanë pasur talente, por diçka i ka munguar. Kanë marrë trajnerin e duhur, një fitues si Allegri. Me Igli Tare si drejtor sportiv ka vendosur gjithçka në rregull. Kuqezinjtë mund t’i hapin më shumë telashe Napolit në garën për titull”.







