Vedat Muriqi vijon të shkruajë historinë e tij personale kundër Real Madridit. Sulmuesi i Kosovës shënoi kundër Los Blancos dhe tashmë ka rekordin e katër rrjetave në katër vite radhazi: 2022, 2023, 2024 dhe 2025.
Sa herë që përballet me madrilenët, ai kthehet në një makth për mbrojtësit e tyre, aq sa ka tërhequr vëmendjen e gazetës madrilene “Marca”.
“Marca” e vlerëson Muriqin si një sulmues të shkëlqyer, i cili gjithmonë gjen mënyrën për të ndëshkuar Real Madridin.
“Sa herë që Muriqi përballet me Real Madridin, shohim një betejë fantastike me qendërmbrojtësit e Real Madridit. Loja e tij e fuqishme ajrore është një sfidë e vazhdueshme për çdo kundërshtar”.
“Përtej aftësive të tij nga goditjet standarde, sulmuesi nga Prizreni e kupton mirë profesionin e tij dhe meriton një monument për vullnetin që shfaq në fushë. Ai bën gjithçka që një sulmues duhet të bëjë në ndeshje të tilla, për t’i bërë rivalët të vuajnë”.







