Jeta nuk ia ka bërë të lehtë Josip Ilicic (Prijedor, Bosnje Hercegovinë; 1.29.1988). Babai i tij vdiq në Luftën Ballkanike. Nëna, vëllai dhe ai, megjithatë, ikën në Slloveni. “Nuk e dija çfarë ishte fjala baba, ma shpjeguan shokët e shkollës”, – rrëfen ai.
Talenti i tij i jashtëzakonshëm si futbollist është në kontrast me brishtësinë mendore, gjë që e bëri atë të konsideronte daljen në “pension” qysh herët. Vdekja e papritur e Davide Astori, kur ai luante për Fiorentinën, e shënjoi përgjithmonë. Për t’i bërë gjërat edhe më keq shërbeu limfadeniti, inflamacioni i nyjeve limfatike. Ajo sëmundje e bëri të frikësohej nga më e keqja: “Kisha frikë të flija dhe të mos zgjohesha më”.
Gian Piero Gasperini, tashmë trajner i Atalantës, tregon versionin e tij më të mirë, 4 golat kundër Valencias (3-4), në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve 2019-2020: “Josip ishte ndër lojtarët më të mirë në Europë. Ai mund ta kishte fituar ‘Topin e Artë’, por gjatë pandemisë filloi të ndjente simptoma. Sulmuesi nuk ishte mirë dhe nuk mund të duronte larg familjes së tij”.
Bergamo u bë epiqendra e COVID-19 në Evropë, ndaj buzëqeshja dhe dëshira e Ilicic për të luajtur futboll u zhdukën. “Ai kishte koronavirus dhe vuajti shumë, ra në depresion. Vjen një moment që koka juaj shpërthen”, – sqaron ‘Papu’ Gómez.
Ai nuk mundi të luante as në çerekfinale të Champions League kundër PSG. “Një javë para ndeshjes shkova ta shoh në spital dhe u trondita, kishte humbur më shumë se 10 kilogramë, e mora si kukull dhe i thashë: Josip, hajde me ne… Të hysh në kokën e njeriut është si të hysh në xhungël, as mjekët nuk kanë shpjegim”, – kujton Gasperini.
Ai luajti përsëri dhe shënoi, në Champions League, kundër Liverpool-it dhe Manchester United, por nuk ishte më i njëjti, derisa në vitin 2022 u largua përgjithmonë nga Atalanta.
“Qëllimi im është të vazhdoj të luaj në nivel të lartë. Pasi mbaroi periudha e keqe, jeta ime filloi përsëri”, – nënvizon Josip.
Ilicic u rishfaq me Mariborin mjaft mbipeshë. Në fakt, atij iu desh t’i nënshtrohej një plani të posaçëm stërvitor: “Më duhej të kthehesha në shtëpi. U lodha duke qenë jashtë vendit, në Slloveni kishte vetëm një klub për të cilin mund të luaja. Nuk ka mbaruar Akoma, është vetëm pjesa e dytë e karrierës sime”.
“Jojo”, siç quhet ndryshe, ka mësuar të mos dorëzohet: “Jam i hapur për çdo gjë, më pëlqen të ndihmoj”. U desh shumë kohë për të pritur, por, në moshën 36-vjeçare, pasi shënoi 9 gola dhe dha 12 asiste në sezonin e fundit, do të jetë në Kampionatin Evropian.
“E dija se do t’ia dilja, do të ngrihesha. E dija ku ishin problemet. E korrigjova atë që duhej, sidomos në lidhje me gjendjen time fizike”, – mburret ai.
Pas 933 ditësh, e luajti ndeshjen e fundit kundër Qipros, në nëntor 2021, Ilicic u rishfaq në miqësoren kundër Armenisë (2-1) dhe iu deshën vetëm 4 minuta për të shënuar golin e fitores. “Futbolli është karma, futbolli e ka shpërblyer. Le të mos bëjmë cirk tani, ai nuk është këtu për meritat e kaluara. Ka 14 ditë që stërvitet në një nivel shumë të lartë. E shoh të lumtur, duke u argëtuar”, – thotë trajneri Matjazh Kek.
Ish-lojtari i Atalantës, i cili ka shënuar 17 gola në 81 paraqitje me kombëtaren, merr rolin e tij të ri me Slloveninë: “Çdo lojtar dëshiron të marrë pjesë në një Europian, por në radhë të parë janë djemtë që u kualifikuan. Falënderoj trajnerin që më dha mundësinë për të përmbushur ëndrrën time, kjo do të thotë shumë për mua, pas kaq shumë kohësh e vuajtjesh”.