Felipe Melo, ish-mesfushori brazilian i Interit dhe Juventusit, foli për “Gazzetta dello Sport” në prag të supersfidës Inter–Juve. “Pa futbollin ndoshta do të kisha përfunduar në rrugë të këqija, por falënderoj prindërit e mi. Babai punëtor, mamaja shtëpiake, jam rritur duke ‘kafshuar’ jetën dhe vështirësitë”, – tha braziliani.
I quajtur gjithmonë “Pitbull”, ai shtoi: “E kam dashur këtë nofkë, por njerëzit kujtojnë vetëm faullet e ashpra. Në fakt, kisha edhe cilësi. Në Botërorin 2010 dhashë asistin më të bukur të turneut për Robinhon kundër Holandës. Pastaj u përjashtova me karton të kuq, vetëm ai episod mbeti në kujtesë”.
Për ndeshjen e së shtunës, ai u shpreh qartë: “Interi është në zemrën time, shumë më tepër se Juventusi”. Melo kujtoi edhe momentet e veçanta si zikaltër, golin kundër Veronës më 2015 dhe përqafimin me bashkëshorten, që u kthye në faqe të parë gazete me titullin “fuga al bacio”.








