Roberto Baggio, detajet e bastisjes dhe dh*nimit në shtëpinë e tij. Grupi i “skifterave” përbëhej nga 6 persona

22 Qershor 2024
12:27
Alfred Lleshi
back button

40 minuta tmerr i pastër, Roby Baggio dhe familja e tij u mbyllën në një dhomë të shtëpisë pa telefona, me “bishtalecin hyjnor” të gjakosur, pasi u godit në kokë nga një prej kriminelëve. Sulmi i pësuar nga ish-fituesi i “Topit të Artë” mori konotacione edhe më shqetësuese teksa kalonin orët pas ngjarjes së rëndë, kur nisën të dilnin detaje.

Një grup i përbërë nga gjashtë persona befasoi Baggio dhe familjen e tij në shtëpinë e tyre gjatë Spanjë-Itali. Pas një përleshjeje për të mbrojtur gruan, fëmijët dhe të pranishmit në shtëpi, Roby mori gjashtë qepje në ballë.

Plaçka, e cila ende nuk është përcaktuar në mënyrë sasiore, përfshinte disa bizhuteri dhe objekte me vlerë, por nuk përfshinte reliket sportive. Dëmi kryesor, megjithatë, iu bë shpirtit të familjes “Baggio”, e cila, në një mbrëmje të zjarrtë në fillim të verës, përjetoi momente tmerri, në të cilat, për ta thënë me fjalët e përdorura nga vetë Roberto, “gjithçka mund të ndodhte”. Në fakt gjithçka ndodhi, por pa pasoja më të rënda se disa qepje në ballë.

Rreth orës 21:30, duke përfituar nga një sistem alarmi që funksiononte vetëm pjesërisht për shkak të të ftuarve të shumtë në shtëpi dhe dritës së ditës ende të pranishme jashtë, grupi i kriminelëve hyri në shtëpinë e “bishtalecit hyjnor” nga disa dritare të mbetura të hapura për pak më shumë ajër.

Pasi vuri re dy të panjohur në vilë, që synonin një grabitje të armatosur, Baggio ndërhyri për të mbrojtur të dashurit e tij, duke reaguar ndaj tentativës së afrimit të kriminelëve. Grupi bastisës përbëhej nga katër persona të tjerë, gjithsej gjashtë të tillë, ndaj në përleshje e sipër fizike, kampioni u godit në kokë me qytën e armës, duke u rrëzuar në tokë me derdhje të bollshme gjaku.

Në atë moment Baggio dhe familja e tij, të privuar nga telefonat celularë për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me botën e jashtme, u mbyllën në një dhomë të vilës. Pas rreth 40 minutash paniku, pasi kriminelët ishin larguar, Roberto theu derën e dhomës, duke telefonuar policinë dhe urgjencën.

Në dhomën e urgjencës së Arzignano u nevojitën gjashtë qepje për të mbyllur plagën në kokë të Roberto Baggio, disa orë pas incidentit. Për të shëruar “plagën” e brendshme të tij dhe të familjes ndoshta do të duhet pak më shumë kohë. “Tani duhet të kapërcejmë frikën, – tha për Ansa. – Në rrethana të ngjashme çdo gjë mund të ndodhë, por për fat të mirë dhuna e pësuar ka krijuar vetëm pak qepje për mua, mavijosje dhe frikë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit