Arsenal ka piketuar objektivin e radhës, që është sërish nga La Liga dhe sërish nga Real Sociedad. Pasi ka bërë “bingo” me transferimin e Mikel Merino dhe Martin Zubimendi, londinezët tani duan një tjetër yll të Real Sociedad. Bëhet fjalë për Takefusa Kubo, 24-vjeçarin japonez, i cili mund të luajë si anësor i djathtë në sulm ose si mesfushor sulmues.
Kur ishte fëmijë, ka qenë pjesë e akademisë së Barcelonës, në moshën 19-vjeçare u transferua tek ekipi i parë i Real Madridit, por për shkak të moshës së re, mungesës së përvojës dhe konkurrencës shumë të madhe që kishte të madrilenët në atë periudhë, Kubo nuk e gjeti dot veten.
Më pas erdhën disa huazime rresht, derisa në vitin 2022, u transferua përfundimisht nga Real Madrid te Real Sociedad për 7.5 milionë euro, aty ku rilindi dhe u bë një nga lojtarët më të mirë në pozicionin e tij në La Liga.
“Defensa Central” raporton se Arsenal është gati të ofrojë 45 milionë euro për yllin japonez, ndërkohë që kaluzola e vendosur nga Real Sociedad është 60 milionë euro. Fillimisht, “Topçinjtë” do provojnë transferimin e Kubo gjatë merkatos së janarit, në rast se nuk ia dalin dot, do provojnë gjatë merkatos së verës.







