“Shqiponjat” shqiptare enden në Gjermani. Spanja do të jetë sërish inferiore në Düsseldorf, këtë herë kundër një ekipi të mbështetur nga ata që janë komuniteti i tretë më i madh i huaj, jashtë BE-së, në Gjermani, i tejkaluar vetëm nga turqit dhe sirianët. Regjistrimi i vitit 2020 tregon për 317.000 shqiptarë në vendin mikpritës së këtij Europiani, shumica prej tyre nga Kosova, por ka studime që e çojnë këtë shifër në afër gjysmë milioni.
Në vitin 1990, gjatë rënies së regjimit komunist, 3000 persona kërkuan strehim në ambasadën gjermane në Tiranë. Gjermania dhe Italia do të ishin destinacioni i lakmuar për refugjatët politikë shqiptarë. Për vite me radhë, sidomos me luftën në Kosovë, mijëra shqiptarë u larguan nga vendi i tyre, llogaritet mbi 800.000.
Pas tyre fshihen mijëra histori, shumë të pranishme këto ditë në tribunat e stadiumeve gjermane duke brohoritur për ekipin e kombit të tyre. Dëshpërimi i viteve 90-të preku pothuajse të gjitha familjet shqiptare. Edhe ato të futbollistëve të tyre elitarë.
Ashtu si Myrto Uzuni, sulmuesi i Granadës që mbeti jashtë finaleve të ‘Euro 2024’, nuk u thirr nga Sylvinho, por me flamurin e vendit të tij të tatuazhuar në lëkurë dhe zemër. Ai është një shembull i atyre shqiptarëve të përkushtuar ndaj vendit të vet, që mund të tregojnë përvoja të jashtëzakonshme.
“Ishin tri ditë ecje, ecje dhe ecje nëpër male për të shkuar në Greqi. Nuk ishim vetëm babai, nëna ime dhe unë që i hymë kësaj drame. Mijëra shqiptarë e përjetuan. E dija që po të na ndalonte policia ose ushtria greke do ta pësonim keq. Kisha frikë me të vërtetë, e pashë ankthim në fytyrën e babait tim nga Berati deri në kufirin grek”.
Fëmijëria e tij nuk kishte asnjë lidhje me idilikën: “Nuk ishte aspak e lehtë. Më duhej të emigroja me familjen time nga Shqipëria në Greqi. Në atë kohë marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ishin të mira. E vumë re në gjithçka. Nuk mendoja të luaja futboll, doja vetëm të punoja për të ndihmuar familjen time, që të mund të hanim”.
Ditë mjerimi si emigrant i paligjshëm, jetesë e cila varej nga bujaria e atyre grekëve që kishin vetëm pak më shumë se ata: “Unë nuk isha fëmijë si të tjerët, me jetë të mirë. Shkova të stërvitesha në Greqi dhe ata kishin rroba të shtrenjta, flisnin për ushqimin më të mirë në shtëpi, kishin këpucë sporti. Unë as këto të fundit nuk i blija dot. Faleminderit miqve të mi nga Greqia që më dhanë këpucët e sportit. Sot e kësaj dite, iu jam mirënjohës njerëzve që më ndihmuan”.
E tregon dhe sytë i shkëlqejnë teksa kujtesa i rikthen djalin që u ngjit majave të orografisë së egër shqiptare në kërkim të një të ardhmeje: “Lëkura më mbushet me mornica sa herë mendoj për ato ditë. Flas shpesh për këtë me babanë tim dhe ai përfundon gjithmonë duke qarë. Pikërisht ai di më shumë për çfarë kemi vuajtur. Nuk dua ta jetoj më atë eksperiencë të trishtë, por e di që shumë njerëz në botë e vuajnë”.
Kjo dramë e përjetuar nga mijëra njerëz e përforcoi lidhjen me tokën e tij, me gjakun e tij, me atë që la pas: “Kjo është Shqipëria. Dhe njerëzit në Shqipëri vdesin për himnin, për flamurin. Ne kemi një lidhje të madhe me njerëzit tanë. Motoja jonë është të jemi pranë atyre që nuk kanë asgjë. Sot kam unë, nesër mund të jesh ti. Ne do të vazhdojmë gjithsesi përpara”.
E tashmja e tij e mirë nuk bën që e kaluara të humbasë në retë e kohës: “Unë e di historinë pas meje. Prandaj, në çdo ndeshje jap gjithçka që kam, sepse nuk dua t’i rijetoj ato gjëra. Nuk dua të humb kohë dhe të pyes veten më vonë pse nuk bëra këtë apo atë. E vlerësoj çdo moment dhe tani jam krenar që kam një jetë të mirë për veten dhe familjen. Unë jam shembulli se ku mund të arrish pa pasur asgjë”, – përfundon Uzuni me zemrën e tij shqiptare.