Interesimi konkret i Bayern Munich për Hakan Calhanoglu nuk e lë të qetë Interin. Bavarezët, të cilët prej muajsh negociojnë me Fulhamin pa rezultate pozitive për të rrëmbyer Joao Palhinha, kanë marrë masa paraprake, duke joshur turkun, që nuk do ta mbyllte derën, përkundrazi.
Interesimi i gjigantëve bavarezë nuk e lë indiferent “regjisorin” e Interit dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Ai është rritur në Gjermani, kthimi atje si kampion duket një skenar që e emocionon vërtet. Për momentin, Interi mund të presë dhe të vlerësojë një ofertë të parë të mundshme. Sidoqoftë, precedentët nuk i lënë të qetë zikaltrit.
Po, po, sepse turku, siç e di mirë Milani, është gjithashtu i ndjeshëm ndaj milionave. Në fakt, në vitin 2021, mesfushori 30-vjeçar nuk e kishte problem ta mbyllte papritur dialogun për rinovimin me kuqezinjtë për të përqafuar projektin e Interit, i cili mbeti “jetim” nga Eriksen, pas arrestit të tij kardiak në Kampionatin Europian.
Të gjitha për gjysmë milioni euro më shumë të vëna në tryezë nga Marotta dhe Ausilio. Nuk është rastësi që dy drejtuesit e zikaltërve, shkruan “Gazzetta dello Sport”, kanë përjashtuar tashmë mundësinë e një tjetër rregullimi të pagës, pas thashethemeve që u përhapën në “Via della Liberazione”. Nga ana tjetër, zgjatja e fundit e kontratës daton më pak se një vit më parë, me pagën e turkut të ngritur në shifrën afër 7 milionë euro në sezon.