“Real Madrid C.F. njofton se kapiteni ynë Nacho ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si lojtar i Real Madridit. Real Madridi dëshiron t’i shprehë mirënjohjen dhe dashurinë e tij Nachos, një prej legjendave të mëdha të klubit tonë”, – fillon deklarata e klubit të bardhë për t’i thënë lamtumirë kapitenit të tij, Nacho Fernández, pasi mbrojti fanellën e Real Madridit për 23 vite, me besnikëri të pastër.
Qendërmbrojtësi spanjoll i jep fund gjithë jetës së tij në klubin e bardhë, pasi nënshkroi kontratë 2-vjeçare me Al Qadsiah, siç njoftoi “MARCA”. Ai u nis për në Arabi pasi nënshkroi një epokë të artë, që përfundoi duke vënë dorën e fundit si kapiten në Champions-in e 15-të.
Nuk do të jetë “One Club Man”, i pesti i këtij “salloni legjendash”, por lë pas vetes një trashëgimi, që është e vështirë për çdo njeri të vdekshëm. “Nacho erdhi te Real Madridi në vitin 2001, kur ishte vetëm 10 vjeç, dhe ka luajtur në të gjitha kategoritë e ekipit tonë të të rinjve, derisa u bë lojtar i ekipit të parë në vitin 2012.
Që atëherë, ai ka mbrojtur fanellën tonë për 12 sezone në një prej etapave më të suksesshme në historinë e Real Madridit. Gjatë gjithë kësaj kohe ka luajtur 364 ndeshje dhe ka fituar 26 tituj: 6 Champions League, 5 Kupa të Botës për Klube, 4 Superkupa Evropiane, 4 La Liga, 2 Kupa Mbreti dhe 5 Superkupa të Spanjës, – vijon deklarata e Real Madridit.
– Që kur erdhi në akademinë tonë si fëmijë, Nacho ka qenë gjithmonë një shembull përmirësimi për të gjithë dhe ka marrë dashurinë, njohjen e admirimin e të gjithë tifozëve të Real Madridit. Real Madridi është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”.
Në ekipin e parë të “Los Blancos”, ai luajti 361 ndeshje dhe fitoi 26 tituj, të cilët e kanë bërë lojtarin me më shumë trofe në klub, së bashku me Luka Modric.