Sylvinho: Luftuam për çdo top dhe pikë, ne ishim pasqyra e popullit shqiptar

26 Qershor 2024
18:54
Alfred Lleshi
back button

Sylvinho është kthyer në Shqipëri, pas tri ndeshjeve në “Euro 2024”, bashkë me stafin e tij dhe një pjesë të kuqezinjve. Me siguri do të ulet tashmë e të bëjë bilancin e paraqitjes në Gjermani, bashkë me drejtuesit e FSHF, të sektorit teknik, në pritje edhe të rinovimit të kontratës.

Trajneri brazilian i kuqezinjve mbetet pa kontratë pas këtij muaji, ndaj do të presë jo pa ankth të mësojë të ardhmen e tij. Nga aeroporti i Rinasit e shpalosi qëndrimin e tij, duke parë nga Liga e Kombeve dhe kualifikueset e Botërorit 2026, çka do të thotë se e sheh veten ende trajner të kuqezinjve.

Megjithatë, mbetet të shihet qëndrimi i presidentit Armand Duka, pas paraqitjes në grupin B të Europianit, në “grupin e ferrit”, ndaj Italisë, Spanjës dhe Kroacisë, ku morëm vetëm një pikë. Sylvinho ka reaguar përmes rrjeteve sociale ditën e sotme, duke nënvizuar se “Shqipëria u largua më e fortë se sa mbërriti nga Kampionati Europian”.

Ja postimi i plotë i Sylvinho: “Dje mbyllëm pjesëmarrjen tonë në ‘Euro 2024’. Jam shumë krenar për atë që i treguam vetes dhe tifozëve të futbollit. Ne ishim një ekip që dhamë gjithçka deri në fund, që luftuam për çdo top, për çdo pikë. Ne ishim pasqyra e popullit shqiptar. U larguam duke u ndjerë krenarë për atë që bëmë.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ishin me ne në këtë kompeticion dhe kontribuan në performancën tonë. Faleminderit edhe tifozëve, të cilët shkëlqyen në tribunat e stadiumeve dhe na ndihmuan në këtë rrugëtim. Shqipëria largohet nga Europiani më e fortë nga sa mbërriti”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit