E aksidentoi për vdekje portieri i Interit, urdhërohet autopsia e viktimës. Ja versioni i Martinez

30 Tetor 2025
11:25
Alfred Lleshi
back button

Ditë delikate për Josep Martinez, portierin e dytë të Interit, i përfshirë në një aksident tragjik të martën në mëngjes, rrugës drejt “Appiano Gentile”, ku humbi jetën 81-vjeçari Paolo Saibene. Futbollisti spanjoll, i mbështetur nga stafi psikologjik i klubit, po përpiqet të ruajë normalitetin mes stërvitjeve dhe zhvillimeve ligjore. Sipas “Gazzetta dello Sport”, prokurorja Giulia Ometto ka urdhëruar autopsinë e viktimës, që do të kryhet të premten në spitalin “Sant’Anna” të Comos.

Interi do të dërgojë një mjek të vetin për të marrë pjesë në ekzaminim.  Hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që i moshuari, me probleme në ecje (ishte mbi një karrocë me rrota kur u përplas nga makina e portierit zikaltër), të ketë pësuar ndalim ose humbje kontrolli me mjetin elektrik. Martinez, i hetuar për vrasje rrugore, u ka thënë karabinierëve se viktima “u zhvendos papritur” në një zonë me kufi shpejtësie 90 km/h, version i konfirmuar nga dy dëshmitarë.

Pavarësisht tronditjes, Martinez u paraqit në qendrën stërvitore të Interit përpara ndeshjes me Fiorentinën, ku mori mbështetjen e Chivu dhe shokëve. Ndërkohë, presidenti Giuseppe Marotta kontaktoi familjen “Saibene” për t’i shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e klubit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit